Sipas një njoftimi zyrtar, me rastin e 1 Qershorit, çifti kryeministror “gjysh Saliu” dhe “nënë Liria”, kanë planifikuar të bëjnë një takim me fëmijët, natyrisht me atë grup fëmijësh që do të përzgjedhë protokolli i zyrës së kryeministrit, për t’u çuar lule dhe për të marrë ndonjë dhuratë. E gjitha është demagogji, mbasi qeveria në këto 8 vite nuk ka realizuar asnjë mbështetje për fëmijët shqiptarë në nevojë, duke ua lënë prindërit pa punë, duke u rritur çmimin e librave, të ushqimeve, të transportit, të ilaçeve, të shërbimit shëndetësor, të arsimimit, të veshjes etj. Demagogjia e kryeministrit nuk do mungojë as sot në 1 qershorin 2013, kur ai do të dalë në ekrane me një grup fëmijësh të “lumtur”, të veshur bukur, të qeshur…
Fëmijët shqiptarë dhe mbesat e nipërit e familjes kryeministrore “Berisha”
Sa herë kryeministri Sali Berisha flet për fëmijët shqiptarë, deklaron se ata jetojnë në “parajsë”, se rriten dhe arsimohen me kushtet moderne. Por realiteti është krejt ndryshe, nuk është si realiteti i mbesave dhe nipërve të tij, që jetojnë, arsimohen, edukohen e argëtohen në kushte luksi. Fëmijët shqiptarë po vazhdojnë të përjetojnë një jetesë me probleme të mëdha sociale brenda familjeve të tyre, për shkak se 35% e familjeve shqiptare janë pa të ardhura, që jetojnë me ndihmë ekonomike, nga 20 dollarë në muaj në familjet me 3 anëtarë, deri 50 dollarë në muaj në familjet me mbi 5 anëtarë. Nëse i referohemi statistikave reale, sot në afro 35% e fëmijëve shqiptarë jetojnë në nivelin e varfërisë së plotë, 20% jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme, që quhet mjerim, ndërsa 15% e tyre jetojnë në varfëri me kushte jetese si në getot e Afrikës së Jugut të viteve 1900. Ndërkohë, afro 25% e fëmijëve shqiptarë, nuk kanë mundësi ekonomike as të shkollohen prej varfërisë. Jeta e fëmijëve shqiptarë, ka dhe tregues të tjerë mjerimi i abuzimi, deri me shfrytëzim skllavërues prej familjeve e shoqërisë, duke i kthyer ata në “lëndë të parë” trafiqesh e krimesh dhe në krahë pune, për të siguruar bukën e gojës. Këtë realitet, qeveria “Berisha” e njeh shumë mirë, sepse ajo e ka shkaktuar, veçanërisht në 8 vitet e fundit, ku fëmijët shqiptarë nuk gëzojnë fëmijëri me shkollim, me argëtim, me ushqim normal, me kushte jetese e më gjithçka të moshës fëminore, siç gëzojnë dhe shijojnë fëmijët, nipërit dhe mbesat e qeveritarëve. Siç jetojnë e shijojnë mbesat dhe nipërit e kryeministrit Sali Berisha, që edhe në piknik shkojnë me helikopter e eskorta policie. Sot është 1 Qershori i 8-të, që fëmijët shqiptarë kalojnë me varfëri e trauma, me viktima e skllavërim nën qeverisjen e Sali Berishës.
Si i gjen 1 Qershori fëmijët shqiptarë
Kryeministri që drejton qeverisjen e vendit, në të tetë 1 qershorët e pushtetit të tij, ka dalë publikisht dhe ka folur me “krenari” në ekranet e televizioneve, për “jetën e lumtur të fëmijëve shqiptarë”. Sipas fjalimeve të kryeministrit Berisha në këto 8 vite pushtet, fëmijët shqiptarë “janë të lumtur”. Kështu do deklaroj edhe sot në 1 qershorin e vitit 2013. Duke dëgjuar kryeministrin që flet kështu, të kujtohet foshnja 1 vjeç, i cili 15 muaj më parë, humbi jetën në gjirin e nënës në Durrës, nga mungesa e ushqimit dhe ngrohjes, mbasi i kishte prindërit pa punë. Duke dëgjuar kryeministrin, që bën demagogji dhe mashtron me parulla për “jetë të lumtur të fëmijëve shqiptarë”, na kujtohen 4 foshnjat, që në dhjetor 2010 u dogjën të gjallë natën e me barkun bosh në Sukth, mbasi nëna i kishte mbyllur në një kasolle druri nga varfëria ekstreme dhe kishte shkuar të siguronte një kafshatë bukë, për t’u dhënë në mëngjes. Duke e dëgjuar demagogjinë e kryeministrit Berisha për jetën e lumtur të fëmijëve shqiptarë, na kujtohen 2 foshnjat e “pjekur” të gjallë brenda në shtëpi në Vlorë natën e 4 janarit 2011, të kyçur brenda dhomës së varfër prej prindërve, që fshinin natën rrugët e qytetit për t’i ushqyer. Duke dëgjuar fjalimet butaforike të kryeministrit, të kujtohen fëmijët që janë vetëvrarë ngaqë nuk kanë pasur lekë për libra, nuk kanë pasur lekë për të shkuar në ekskursion me shokët e klasës, nuk kanë marrë dot një dhuratë për Vitin e Ri prej prindërve të varfër, ose sepse kanë parë prindërit e sëmurë, që vuanin ngaqë nuk kanë pasur lekë për të blerë një aspirinë. Na kujtohen gjithë rastet e dhimbshme e kriminale që kanë përjetuar fëmijët të cilët prej kësaj varfërie ekstreme, që ka krijuar pushteti “Berisha” në familjet e tyre, ose që kanë humbur jetën në punë të rënda, ose që kanë mbetur jetim e të gjymtuar. Në Bulqizë, në Burrel, në Laç, në Gramsh, në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër, Kuçovë, Poliçan e kudo po vriten dhe gjymtohen fëmijë, të cilët punojnë për të siguruar ushqimin ditor në mbledhje skrapi e kromi. Faktet janë tronditëse, bilanci i viteve 2005-2013 është ky: Në Shqipëri, varfëria ka gjymtuar 870 fëmijë dhe ka “vrarë” 210 të tjerë, të cilët janë shfrytëzuar për punë, kanë humbur jetën nga mungesa e kurimeve, operacioneve, por dhe nga kushtet e vështira të jetesës, madje edhe nga varfëria ekstreme nga mungesa e ushqimit dhe ngrohjes. Në shkallë vendi, sipas deklarimeve të bëra në fund të vitit mësimor 2012, rezulton se afro 20% e fëmijëve kanë braktisur shkollën, mbasi punojnë e shfrytëzohen si skllevër. Edhe një fakt: Në Shqipëri rezultojnë 210 mijë fëmijë “viktima”, të cilët për shkak të politikave të munguara sociale e të veprimit ligjor të këtij pushteti, kanë pasur jetë të ndërprerë, jetë me braktisje familjare, punësim si skllevër, mjerim e vuajtje fizike. Po përmendim vetëm një fakt të pranuar 10 ditë më parë nga qeveria shqiptare: janë 60 mijë fëmijë në mjerim, 54 mijë fëmijë punëtorë dhe 3800 fëmijë të ngujuar, që jetojnë brenda mureve të “kullave” për shkak të hasmërive të prindërve të tyre, por qeveria “Berisha” nuk i nxjerr në liri si nipërit dhe mbesat e veta.
Shifra: 54 mijë fëmijë e presin 1 Qershorin 2013 në punë
Janë 54 fëmijë shqiptarë në mbarë vendin, të cilët e presin 1 Qershorin 2013 si punëtorë, që shfrytëzohen në aktivitete të ndryshme prodhuese e shërbimesh, për shkak se punojnë për të sigluara ushqim e veshje për vete dhe familjet. Shifrat konfirmojnë, se afro 45% e punonjësve të ligjshëm fëmijë shfrytëzohen në punë të rënda dhe në orët e natës. Në Shqipëri, sipas evidencave, rezultojnë të jenë punësuar mbi 50 mijë fëmijë. Pavarësisht se qeveria, apo disa OJF të lidhura më qeverinë, deklarojnë se ka vetëm 10-15 fëmijë të punësuar ilegalisht e vetëm 300 fëmijë të punësuar ligjërisht por që u shkelen të drejtat, realiteti tregon se puna e fëmijëve në Shqipëri përbën një treg pune të zgjeruar e në zhvillim, të lejuar e të pakontrolluar nga institucionet qeveritare e ligj ndëshkuese. Llojet e punës që bëjnë fëmijët, janë punë të rënda. Ata punojnë nga 18 orë nëpër lavazho, qepje këpucësh, grumbullim hekurishtesh, grumbullim shishesh, pastrues plehrash, hamenj në treg, në magazina, ngarkim makinash, në kanale, në autobusë e furgona, në ndërtim, transportin rrugor, në tregti e shërbime të rrugës natën dhe ditën. Këtë punësim e imponon gjendja e varfër e familjeve të tyre. Këta fëmijë detyrohen të punojnë, për shkak se janë jetimë, për shkak se kanë prindërit invalidë, për shkak se kanë prindërit pa punë. Mungesa e të ardhurave për mbijetesë, i çon fëmijët në tregun e zi të punës së të miturve.
Dy mashtrimet komike të Saliut në kopshtin nr. 25, në 1 Qershor 2012
1. Do të hapen 104 klasa të reja në arsimin parashkollor. Mjafton ky premtim, për të kuptuar se kryeministri ynë është mashtrues dhe i papërgjegjshëm në premtim-mashtrimet që bënë. Pse? Që të premtosh, se do të hapësh edhe 104 klasa kopshti në shkallë vendi, sipas llogarive i bie, që në çdo prefekturë të shtohen nga 8 klasa e gjysëm. Sipas standardit për çlodhje, edukim, mësim e pushim minimal, 1 klasë kopshti përballon maksimalisht 15 fëmijë. Sipas premtimit, në të gjithë Shqipërinë do të sistemoheshin edhe 1500 fëmijë në arsimin parashkollorë..
2. Kryeministri Sali Berisha, deklaroi përpara fëmijëve dhe këtë premtim: Ju garantoj, se 80% e fëmijëve 5 vjeçarë, në fund të këtij viti do të jenë në kopshte. Këtë premtim, që tashmë ka rezultuar mashtrim, kryeministri e ka bërë dhe në vitin 1992, në vitin 1996, në vitin 2005, në vitin 2009, 2010 e 2011, madje duke deklaruar se 100% e fëmijë do të futen në arsimin parashkollorë, mbasi sipas tij, qeveria do të ndërtonte kopshte në çdo qendër banimi.
Shqipëria 2013, në fund të botës për trajtimin e fëmijëve
Kryeministria ka deklaruar se fëmijët shqiptar jetojnë në kushte sipas standardeve evropiane. Po ndalemi vetëm tek një deklaratë e bërë prej tij: 80% e fëmijëve 5 vjeç, do jenë në kopshte brenda vitit 2012. Ky deklarim rezultoi mashtrim edhe për faktin që Shqipëria ende nuk i ka kapacitetet sociale-ekonomike, për të arritur këtë tregues. Saliu është kryeministrit që drejton një vend, i cili ka 70% të popullsisë në varfëri, 30% në papunësi, 75% të qendrave të banuara pa shërbim mjekësor dhe 60% të qendrave të banuara pa shkolla, ndërkohë që për kopshte fëmijësh nuk bëhet fjalë. Po japim disa shifra krahasuese: SHBA ka vetëm 61% të fëmijëve 5 vjeçar në kopshte, Danimarka ka 68%, Franca ka 55%, Italia ka 52%, Turqia ka 43%, Maqedonia ka 40%, Greqia ka 57%, ndërsa Shqipëria ka vetëm 22% të fëmijëve në kopshte me e pa drekë. Në Shqipëri shifra është kaq e ulët, sepse familjet janë super të varfra, sepse fëmijët nxirren në rrugë për të lypur dhe përdoren si “krahë pune”, por edhe sepse qendrat e banuara sidomos në zonat rurale, nuk kanë objekte mësimore kopshte.
Tregues të qeverisjes “Berisha”, në lidhje me fëmijët shqiptarë
• Janë 16 mijë fëmijët e mbetur jetimë, për shkak të vdekjeve, vrasjeve e humbjeve të prindërve të tyre në emigracion.
• Janë 38 fëmijë të cilët kanë humbur jetën në 28 mars 1997, nga mbytja e tragetit në Otranto.
• Janë 246 fëmijë të ish-policëve, gardistëve e ushtarakëve të vrarë në trazirat e vitit 1997, të keqpërdorur prej Berishës, gjatë protestave të piramidave.
• Janë 4100 fëmijë të mbetur jetimë, nga vrasja e prindërve të tyre, në trazirat e vitit 1997.
• Janë 5600 fëmijë e mbetur pa kujdes familjar, për shkak të divorcit të prindërve prej varfërisë.
• Janë 1900 fëmijë e mbetur jetimë, për shkak të vetë-vrasjes së prindërve nga varfëria.
• Janë 1200 fëmijë lypsarë, që bredhin rrugëve të Tiranës e qyteteve të tjerë të vendit, në kërkim të mbijetesës.
• Janë 2000 fëmijë shqiptarë, të trafikuar në Greqi, Itali, Gjermani, Francë etj, për lypje, për shitje organesh, për shitje-birësime, për tregti droge e prostitucion.
• Janë 54 mijë fëmijë, të cilët punojnë për shkak të varfërisë që kanë në familjet e tyre.
• Janë 500 fëmijë të braktisur në maternitete prej nënave, për shkak të varfërisë ekstreme.
• Janë 1700 fëmijë që hyjnë e dalin në përditë qelitë e komisariateve të policisë, mbasi vjedhin për shkak të varfërisë dhe mungesës së familjeve.
• Janë 300 fëmijët e Bulqizës, që punojnë 16 orë në kërkim të mineralit të kromit, për shkak të varfërisë ekstreme në familjet e tyre.
• Janë 6 fëmijët e vrarë në Gërdec, duke punuar si skllevër demontimi municionesh në biznes-krimin e klan-familjes “Berisha”.
• Janë 10 fëmijët e mbetur jetimë të Ziver Hoxhës, Hekuran Dedës e Faik Myrtos të Aleks Nikajt, të vrarë në protestën e 21 janarit 2011 prej pushtetit “Berisha”.
• Janë 6 nipërit dhe mbesat e Sali Berishës, që jetojnë në luks. Nga: Përparim Halili