Kuvendi rrëzoi kërkesën e grupit parlamentar të PD për interpelancë me kryeministrin Rama në lidhje me pretendimet e demokratëve se shefi i qeverisë ka punësuar si këshilltar një agjent të huaj rumun, i cili është pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi tha se rrëzimi i kërkesës nga kryetarja e Kuvendit është anti-kushtetues pasi kryeministri nuk mund ta refuzojë interpelancën, kur janë paraqitur prova dhe fakte.
Bardhi theksoi se Rama duhet të dalë të përballet me opozitën dhe të japë llogari për çfarë është këshilluar nga ky person i dyshuar si i përfshirë në trafikun e drogës.
“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka emëruar si këshilltar një agjent të shërbimeve sekrete rumune dhe që këtu ka një shkelje se këtu cënohet rëndë siguria publike. Së dyti rezulton se ky person përveçse është i përfshirë në afera korruptive në vendin e tij është i lidhur me një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës që lidh Meksikën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Rumaninë. Unë nuk kam kërkuar interpelancë për ta pyetur nëse ka marrë pjesë në ndonjë nga këto festat me kokainë që raportojnë mediat rumune. Nuk e kam pyetur për këtë se kjo është pjesë private dhe mund të bëjë çfarë të dojë.
Grupi i PD ka të drejtë t’i kërkoj llogari Kryeministrit si është njohur me këtë element, i cili përveçse rezulton pjesë e agjenturave të huaja, rezulton dhe pjesë e trafikut të frogës. Ne duam të dimë për çfarë e ka këshilluar ky Kryeministrin e Shqipërisë”, tha Bardhi.