“Sa më e lirë të jetë një media, aq e lirë është shoqëria. Dhuna e kërcënimi ndaj lirisë së fjalës është kambanë alarmi për të gjithë qytetarët, ndërsa agresioni fizik mbi punonjësit e mediave është krim i rëndë dhe me pasoja për krejt shoqërinë”.
Gazetari dhe botuesi i portalit ‘Pamfleti’, Gjergj Zefi është dhunuar dje me sende të forta në Tiranë sapo ka dalë nga zyra. Lidhur me këtë akt banditesk ka reaguar Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, UGSH u bën thirrje autoriteteve të vendosin para drejtësisë autorët.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Gjergj Zefi, mbasditen e së martës më 3 Tetor 2023, në një ndër rrugët e Tiranës. Goditjet fizike me mjete të forta mbi gazetarin, lëndimet e tij, përbëjnë një akt të rëndë. UGSH u bën thirrje autoriteteve të shtetit, të gjejnë menjëherë autorin dhe ta çojnë para drejtësisë.
Dhuna fizike ndaj gazetarëve është një akt i papranueshëm në një shoqëri normale. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, kërkon ndaj institucioneve dhe autoriteteve të vendit, që të parandalojnë dhe të mos përkrahin klimën e kërcënimit ndaj reporterëve dhe redaktorëve të mediave.
Sa më e lirë të jetë një media, aq e lirë është shoqëria. Dhuna e kërcënimi ndaj lirisë së fjalës është kambanë alarmi për të gjithë qytetarët, ndërsa agresioni fizik mbi punonjësit e mediave është krim i rëndë dhe me pasoja për krejt shoqërinë”, thuhet në reagimin e UGSH.
Ndërkohë, policia ka identifikuar pronarin e makinës së autorëve dhe bëhet fjalë për shtetasin Renato Bodurri nga Elbasani.