Gazetarja Rovena Cerka shprehet se në grupin Albkings në Telegram, publikohen fotografi intime të vajzave pa dijeninë e tyre, me qëllim denigrimin.
Cerka tha se djemtë madje i vendosin çmime vajzave, duke ofruar në këtë grup kontaktet e tyre, si Instagram, Tik Tok apo edhe numrin e telefonit.
Ajo tha gjithashtu se krimi kibernetik në Shqipëri ka treguar se është i paaftë t’i luftojë këto lloj fenomenesh, të cilat sipas saj, nuk duhet të tolerohen.
“Nuk janë të pakta fotografitë e vajzave që janë të mitura dhe ndodhen brenda këtij grupi. Në grup ka dy momente shumë të rëndësishme, vajza që punojnë në rrjetin e prostitucionit dhe ofrojnë kontaktet dhe fotografitë e tyre brenda grupit, duke u munduar të tërheqin klientë.
Nga ana tjetër, kemi djemë që u caktojnë çmimin vajzave, që as nuk i njohin madje. Kjo ndodh me qëllim denigrimin e tyre. Kemi djem që ekspozojnë të dhënat e një vajze me kontaktin e tyre, Instagramin, TikTok-un, numrin e telefonit, etj dhe vendosin një çmim me qëllim denigrimin e tyre.
Nuk është hera e parë që ndodhin këto gjëra, por nuk do të thotë se duhet të tolerohen. Krimi kibernetik në Shqipëri ka treguar se nuk është i aftë të merret me këto çështje”, tha Cerka.