Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan erdhi në një vizitë zyrtare në Tiranë në nisje të një turi rajonal. Kërkesat për Shqipërinë ishin të qarta dhe direkte; pastroni gylenistët e fundit. Por a do të mundet Edi Rama t’i bëjë ballë presionit të Erdoganit? Koha ka treguar se kryeministri shqiptar “i ka duart e lidhura” nga amerikanët. “Sulltani” turk dhe vartësit e tij prej kohësh i kanë vënë ultimatum Tiranës zyrtare që të arrestojë të gjithë gylenistët që strehohen në Shqipëri, të cilët kërkon të ekstradohen drejt Turqisë, për shkak se i bën përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit kundër tij në vitin 2016. Përveç personave, Sulltani Erdogan ka kërkuar edhe mbyllje ne të gjithë institucioneve që operojnë në Shqipëri dhe që financohen me lekët e kundërshtarit të tij më të madh, dijetarit dhe miliarderit që jeton në SHBA, Fethullah Gylen. Por deri më tani, Rama ka mbyllur dy shkolla, një në Fier dhe një në Tiranë, që sipas autoriteteve vendase dhe turke thuhet se financohen nga kundërshtari Erdogan.
Dhe sikur të mos mjaftonte mbyllja kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy” dhe kopshtin “Zubeyde Hanim”, me urdhër të Edi Ramës janë goditur edhe dy kritikë dhe armiq të Erdogan, sikundër është arrestimi gazetari turk Ahmet Emhre Olur dhe deportimi i tij në Stamboll, si dhe arrestimi dhe burgosja në Shqipëri e bosit të kriptomonedhave turke Faruk Ozer. Këto katër lëvizje të forta të Edi Ramës, duket se kanë si qëllim final, vënien në zbatim të gjithë ultimatumeve të Erdogan. Por kryeministri u ndal deri këtu, pasi amerikanët i vendosën vijen e kuqe. Këtë fakt e konfirmon edhe eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Kreshnik Osmani. I ftuar në një studio televizive, ai theksoi se për çështjen Feto në Shqipëri nuk vendos kryeministri Rama, por vendosin amerikanët.
Prapaskenat
“Për çështjen FETO në Shqipëri vendosin amerikanët nuk vendos Rama, t’i themi gjërat siç janë. Unë e njoh mirë situatën aty, i njoh mirë këto korente. Me sa duket Rama po i thotë mikut të tij “Erdogan se unë kam bërë aq sa munda unë të bëj, e kam pastruar shtëpinë, mirë por fshesa ime nuk i kap të gjitha pasi na duhet të merremi vesh me amerikanët”. Ata janë prezent në Shqipëri për të ruajtur çdo lloj ekuilibri i cili mund të ketë ndikim nesër në lojën gjeopolitike të Ballkanit.
Edhe vetë simbolika e zotit Fidan duke ardhur nga dera e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë është një mesazh që roli i Turqisë do të fillojë nga kjo gjerë, apo do të tregojë që kjo është pika e fuqisë time në Ballkan. Osmani theksoi se takimi i Fidan me zyrtarët e lartë të DASH dhe ministrin e Jashtëm përpara vizitës në Ballkan, tregon se kemi një përputhje të tre poleve Ankara, Uashington, Londër për atë si do të jetë e ardhmja e Ballkanit. “Ajo që unë shoh është se ka tashmë një vizitë të zotit Hakan Fidan me një valixhe të mbushur plot me projeksionin e ri të Ballkanit i cili me atë që duket është një dakordësi Uashington, Ankara, Londër”, tha ai.
Reagon Rama
Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama ka pritur në takim ministrin për Punët e Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan. Rama ka publikuar dje në rrjetet sociale foto nga takimi i zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë. “Disa momente nga takimi si gjithnjë mbresëlënës me një mik të çmuar e tanimë të vjetër, një prej mendjeve më të mprehta që kam pasur privilegjin të njoh në arenën ndërkombëtare, ministri i jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan”, shprehet kreu i qeverisë shqiptare. Kujojmë se ministri i jashtëm turk vizitoi edhe xhaminë e re të Namasgjasë por ra në sy mungesa e kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, një “i padëshiruar” për Ankaranë i akuzuar si i lidhur me organizatën FETO. Mesa duket kërkesat e Ankarasë dhe presioni i fortë amerikan e kanë vendosur “me shpatulla pas muri” Ramën duke bërë që të kalojë në heshtje takimin. Rama e di mirë se në fund nuk do i plotësojë dot kushtet e Turqisë.