I ftuar në rubrikën Intervista e Ditës ishte avokati Idajet Beqiri, i cili foli në lidhje me çështjen e Gërdecit. Beqiri u shpreh se ky është një krim i rëndë shtetëror dhe si i tillë është shumë i vështirë për t’ u goditur, pasi në mënyrë të tërthortë ata që e organizuan dhe kryen këtë krim janë në pushtet, qoftë të opozitës por edhe të parasë.
“Gërdeci edhe pse është një krim i rëndë shtetëror me pasoja të jashtëzakonshme, që tregoi se çfarë janë në gjendje të bëjnë të korruptuarit dhe që këtë korrupsion e shtrinë deri në atë pikë sa të vrasin njerëz për të mbushur xhepat e tyre. Është njolla më e rëndë dhe e turpshme në historinë e shtetit shqiptar. Jo vetëm gjatë këtyre 32 viteve, por gjithë historisë së këtij shteti. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një krim të tillë ta kryej shteti, me përmasa të tilla vetëm nën moton që do nxjerrim para dhe do pasurohemi qoftë edhe me gjak shqiptarësh.
Në këtë drejtim, Gërdeci jo vetëm nuk po merr drejtimin e duhur dhe nuk po vë në bandën e të akuzuarve, organizatën e vërtetë kriminale që e bëri dhe organizoi këtë krim. Që i ndau rolet që në fillim, kur u pa se sa do të ishte fitimi prej kësaj afere. Pasi bënë studimin që prej kësaj afere mund të fitoheshin 150 milion euro atëhere kjo organizatë kriminale ishte e bindur që do dilnin dhe pengesa gjatë rrugës dhe ata këto pengesa do t’i eliminonin po me rrugë kriminale. Dhe duke qenë krim shtetëror është shumë e vështirë për t’ i goditur, sepse elementët që e organizuan dhe finalizuan këtë krim ishin dje në pushtet dhe sot janë sërish në mënyrë indirtekte në pushtet. Qoftë në pushtetin e opozitës por mbi të gjitha në pushtetin e parasë”, u shpreh Beqiri.