Një protestë qytetare kundër barrikadave në veri të Kosovës është zhvilluar edhe në Maqedoninë e Veriut.
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në ambientet e jashtme të ambasadës serbe në Shkup në mbështetje të Kosovës.
Protesta u organizua nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë (SHBPPSH), por u mbështet edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Ky tubim vjen në ditën e 20-të të vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës, për të cilat pati një dakordësi për heqjen e tyre këtë të enjte.
Një protestë e ngjashme u mbajt ditën e sotme edhe në Tiranë, ku qytetarët dënuan retorikën luftnxitëse të Beogradit dhe kërkuan heqjen e barrikadave.