Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Garda pritet që të përfshihen në një furtunë, teksa efektivët dhe ushtarakët e lidhur me krimin që kanë përdorur aplikacionet “SKY ECC” apo “EncroChat” do t’iu “pritet koka”. Më konkretisht rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës kanë afat 30 ditë për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit nëse kanë përdorur më herët aplikacionet që po tronditin botën e krimit, “Sky ECC” dhe “EncroChat”. Ishte ministri i Brendshëm, Taulant Balla që firmosi dje urdhrin, i cili u kërkon të gjithë atyre që janë pjesë e strukturave të sigurisë të deklarojnë përdorimin e tyre në të shkuarën, nëse e kanë disponuar, shoqëruar me periudhën dhe arsyen e përdorimit. Në fakt, çfarëdo lloj arsye të shkruajnë policët për përdorimin e aplikacioneve “Sky ECC” dhe “EncroChat” do t’iu kushtoj detyrën, pasi do të përjashtohen menjëherë nga struktura.
Detajet
Formulari është me 3 faqe dhe përveç të dhënave personale dhe gradës që mbanë efektivi, të renditura janë 3 pyetje, 2 të parat për përdorim të veçantë të 2 aplikacioneve dhe e fundit për përdorim të përbashkët. Urdhri i ministrit Balla është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera në varësi, pas arrestimit të disa efektivëve që rezultuan se ishin “zaret” e grupeve kriminale, duke u përfshirë jo vetëm në shpërdorim detyre por edhe si bashkëpunëtorë të grupeve të strukturuara.Mbetet e paqartë si plotësimi i këtij formulari nga ana e efektivëve do t’i shërbej procesit të pastrimit të policisë, duke pasur parasysh që një pjesë e përdoruesve të tyre mund të mos jenë të identifikueshëm pasi regjistrimi në aplikacionet “Sky ECC” dhe “EncroChat” është me kode. Mbetet në riskun e policëve të japin deklarim të rremë ose jo në formularë, pasi gjithsesi një pjesë e atyre që e kanë përdorur mund të edhe t’i shpëtojnë filtrit të SPAK, duke mos u identifikuar.Mbi të gjitha, të dy këto aplikacione komunikimi, në vetvete, gjatë kohës që kanë qenë në funksion, nuk kanë qenë të paligjshëm, përtej përdorimit të tyre nga grupet kriminale, i cili në fakt solli në vijimësi edhe rënien përfundimtare të tyre. Deri më tani, janë 3 dosje të SPAK ku ka të përfshirë policë që ose janë vetë ata në këto aplikacione, ose diskutohet për ta.E para ishte dosja e grupit të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e dyta ishte “Metamorfoza” ku u godit ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe së fundmi shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “Sky ECC” dhe “EncroChat”.
AMP shkund një drejtues policie
Ndërkohë nga ana tjetër, edhe dje janë dhënë sinjale se drejtues të policisë jetojnë në simbiozë me krimin. Kështu nënkomisari Taulant Ismailaj në Fier, është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Ndaj tij, gjykata ka vendosur po ashtu edhe ndalim për të dalë jashtë shtetit.Sipas AMP e cila ka ekzekutuar vendimin, Ismailaj, specialist i seksionit të luftës kundër narkotikëve në Policinë e Fierit, akuzohet se ka favorizuar shpërndarës të ndryshëm të lëndëve narkotike duke mos i arrestuar, në rastet e flagrancës. “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka caktuar masën shtrënguese “Ndalim për të dalë jashtë shtetit” dhe masën ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Nënkomisar T.I., me detyrë Specialist i Seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve në DVP Fier, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.Nga hetimet rezulton se Nënkomisari ka kryer veprimtari kriminale në dëm të interesave të shtetit. Ai dyshohet se ka favorizuar shpërndarës të lëndëve narkotike duke mos i arrestuar, në rastet e flagrancës nga Policia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e AMP.