Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë së Demokrateve Euroatlantikë, Gazment Koduzi ka komentuar aktualitetin në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Koduzi theksoi se skandali i Spitalit Onkologjik është simptomë e sistemi të degraduar. Sipas tij, reforma e Demokratëve Euroatlantikë vendos qytetarin të parin me parimin “paraja ndjek pacientin”.
-Zoti Koduzi, cilat janë prioritete kryesore të demokratëve euroatlantikë në këtë moment?
Aktualisht vendi ndodhet në udhëkryq, nëse do të marrë rrugën europiane duke luftuar korrupsionin, zhvilluar demokracinë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme apo do të rrëshqasë në autoritarizëm. Nëse do të ndërmarrë reforma për të zhvilluar ekonominë, rritur punësimin, rritur të ardhurat e familjeve, ulur koston e jetesës, reformimin e sistemit shëndetësor që është në koma apo do të vazhdojmë të lëngojmë, dhe shqiptarët të emigrojnë. Nisur nga shqetësimet kryesore të qytetarëve dhe shoqërisë tonë, është detyra e politikës, por mbi të gjitha e jona si forcë e djathtë, që t’i delegojmë problemet dhe japim qytetarëve mënyrën e zgjidhjes së tyre.
-Si mendoni se mund të kontribuojë më së miri në përparimin e vendit në këtë kohë?
Ne si forcë politike bazohemi në ideologjinë e djathtë, që ka në themel familjen, pronën, ligj dhe rend, besimin në Zot. Bazuar në këto parime, ne prezantuam para shqiptarëve programin tonë politik, që ju jep zgjidhje shumë problemeve të shoqërisë. Ne i japim zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës, që gjatë 34 vjetëve jo vetëm ka frenuar zhvillimin ekonomik, por ka shkaktuar me mijëra viktima. Madje në këtë pike, ne i kërkojmë ndjesë qytetarëve dhe pronarëve, që Partia Demokratike si forcë e djathtë, nuk e ka zgjidhur por e ka komplikuar çështjen e pronës përmes zbatimit të ligjit 7501 si dhe legalizimit të zënies së pronës. Ne i japim zgjidhje përfundimtare problematikave të mbartura dhe dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë, që është një plagë e hapur e shoqërisë. Për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit dhe të ardhurave, ne bazohemi në parimet e djathta: qeveri e vogël dhe taksa të ulta. Taksa e sheshtë 9% mendojmë që do të formalizojë më shumë ekonominë dhe lejojë që qytetarët të kenë më shumë sasi monetare për të shpenzuar për të mirën e familjes. Ne mendojmë që çështja kyçe që duhet zgjidhur dhe ndikon në cilësinë e qeverisjes dhe demokracisë është reforma zgjedhore. Për këtë kemi tashmë një vit që kemi propozuar dhe hedhur për debat në publik propozimin tonë për votimin elektronik, votimin e shqiptarëve që banojnë jashtë vendit, listat e hapura dhe barazinë e votës.
-Çfarë strategjish keni për të adresuar çështjet kyçe në sektorin e shëndetësisë?
Shëndetësia është një nga sektorët më të rëndësishëm në skemën politike, sepse përveç se kujdeset për shëndetin e popullatës, nga ana tjetër është edhe një komponent shumë i rëndësishëm ekonomik që qarkullon 6% të GDP ose afro 1.4 miliardë Euro në vit. Sistemi shëndetësor shqiptar është më pak i reformuari në vend, madje është një rudiment i sistemit socialist Semashko, ku ofruesit e kujdesit shëndetësor ( qendrat shëndetësore, spitalet) financohen bazuar në buxhet historik, ndërsa personeli mjekësor paguhet me rrogë fikse pavarësisht performancës së tyre. Ne ju kemi prezantuar shqiptarëve vizionin tonë për shëndetësinë dhe reformat që do të kryejmë. Momenti kryesor kur qytetarët u ndërgjegjësuan për gjendjen në shëndetësi dhe nevojën e reformimit, ishte gjatë epidemisë së covid-19, ku sistemi ynë shëndetësor performoi më keq nga gjithë rajoni dhe nuk ju përgjigj pritshmërive të popullatës. Shqipëria pati numrin e vdekjeve të tepërta ( excess deaths) më të lartin në rajon me afërsisht 15000, qytetarë që nuk diagnostikoheshin në kohë, pamundësi trajtimi në spital, dhe shpenzime katastrofike nga xhepi deri në 50 mijë Euro për ata që ikën jashtë vendit. Faktikisht, programi ynë i delegon dhe ju jep zgjidhje të gjitha këtyre problemeve, duke vendosur në qendër të sistemit qytetarin dhe nevojat e tij. Kjo fillon në radhë të parë duke reformuar politikbërjen dhe mentalitetin me të cilin behën politikat dhe ligjet në sistemin shëndetësor. Gjithë të mirat apo të këqijat e sistemit shëndetësor vijnë nga politikbërja, që burimin e kanë në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjatë 11 vjetëve të qeverisjes socialiste, ky institucion është drejtuar nga persona që nuk e kanë idenë e politikave shëndetësore, por që e njohin sistemin shëndetësor vetëm si pacientë, prandaj ne do e reformojmë këtë institucion duke jua kthyer profesionistëve, të cilët janë të aftë të bëjnë politika që plotëson pritshmëritë e popullatës. Ne u propozojmë qytetarëve që të zbatojmë në vend modelin e sistemit shëndetësor gjerman (Bismark), në mënyrën si paguhen sigurimet shëndetësore, si financohen spitalet dhe qendrat shëndetësore, si e zgjedh pacienti mjekun ku do të vizitohet. Faktikisht, gjatë 32 vjetëve demokraci, janë kryer disa reforma të pjesshme në shëndetësi: ligji për sigurimet shëndetësore në vitin 1994, futja e barnave me rimbursim, ligji për kujdesin spitalor në v.2003, financimi i qendrave shëndetësore dhe spitaleve nga skema e sigurimeve në v. 2007 dhe v.2009, autonomia e qendrave shëndetësore, ligji i sigurimeve shëndetësore në v.2011 që hapi rrugën e tregut të shërbimeve shëndetësore, të cilat në disa raste nuk kanë dhënë efektin e duhur, dhe në disa raste janë anuluar. Ne, i propozojmë qytetarëve reformë që i vendos ata në qendër të sistemit: qytetari vendos se ku do ta kryejë sigurimin shëndetësor dhe paketën që i përshtatet, vendos se të cili mjek familje, specialist apo spital do të bëj vizitën ose ndërhyrjen, pavarësisht pronësisë (publik apo privat), dhe në këtë mënyrë ai vendos se ku do të shkojë paraja. Pra, ne propozojmë parimin “paraja ndjek pacientin”.Në këtë mënyrë, qytetari e ndjen veten pjesë të rëndësishme të sistemit, institucionet e sigurimeve dizenjojnë paketa bazuar në nevojat e qytetarit, dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor do të japin shërbim cilësor dhe sipas nevojave të qytetarit. Një element shumë i rëndësishëm i reformës tonë është edhe pjesa farmaceutike. Boshatisja e tregut farmaceutik nga barnat e sigurta dhe cilësore, si pasojë e të cilit cenohet drejtpërdrejtë jeta e qytetarit është pasojë e hartimit të ligjit për farmaceutikën në vitin 2014. Politikat e ndjekura, sollën largimin e përfaqësive farmaceutike dhe kompanive prestigjioze, duke hapur rrugën barnave me origjinë jo të sigurtë, cilësi e ulët, si dhe uljen e numrit të alternativave. Nuk u mendua asnjëherë që pacienti të trajtohet me mjekime bashkëkohore , minimalisht të krahasueshme me vendet e rajonit. Barnat me rimbursim bazohen në një listë të kufizuar, që hartohet mbi baza klienteliste. Lista e barnave me rimbursim në vend ka vetëm 255 molekula, ndërsa vendet rajonit të Adriatikut kanë 962 molekula, ndërsa shpenzime për capita është 35 Euro, krahasuar me 158 Euro vendet e Adriatikut. Ne përmes reformës do të sigurojmë akses në shumëllojshmëri barnash cilësorë për çdo qytetar, në çdo farmaci, me efikasitet të garantuar, bashkëkohore dhe pa mungesa si ndodh tani në farmacitë spitalore dhe të rrjetit të hapur. Çdo pacient do marrë me rimbursim të gjitha barnat që ka nevojë për trajtimin e sëmundjes (rimbursim bazuar në diagnozë), dhe jo si deri tani, për një numër të kufizuar që ka lista.
-Çfarë mendoni për skandalin e Onkologjikut? Si duhet të vepronte një qeveri e përgjegjshme në këtë moment?
Skandali te onkologjiku është një simptomë e sistemi shëndetësor të degraduar në dimensionin moral, organizativ dhe institucional. Sigurisht, është e papranueshme që mjekët të cilët kanë bërë betimin e Hipokratit, për t’u përpjekur deri në momentin e fundit për të shpëtuar jetën e pacientit, nuk shërojnë por “vrasin” pacientët duke mos u dhënë dozën e duhur të barit. Punonjësit e administratës, ata që paguhen dhe kanë për detyrë zbatimin e rregullave dhe udhëzimeve, bëhen bashkëpunëtorë në korrupsion. Institucioni i QSUT tregoi 11 vite keqmenaxhim ashtu si gjithë sistemi shëndetësor, si dhe mungesë të mekanizmave për të kontrolluar cilësinë e kujdesit ndaj pacientit, nga momenti që hyn në spital dhe deri te hapi i fundit i trajtimit, nëse e merr barin e duhur dhe dozën e përshkruar nga mjeku. Faktikisht, kjo situatë është pasojë e demagogjisë politike të Ramës për shëndetësi falas, ndërkohë që e ka bërë më të shtrenjtë jo vetëm jetën, por edhe vdekjen. Kjo nuk do të ndodhte, nëse shëndetësia jonë do të kishte mjaftueshëm fonde për të blerë barna, poltronë për të marrë mjekimin te onkologjiku dhe japë personelit mjekësor paga dinjitoze, por shëndetësia jonë është më e keqfinancuara në rajon me 2,9% të GDP, dhe një pjesë e mirë e saj prej 53 milion Euro në vit shkojnë për koncesione korruptive në xhepat e klientëve të Ramës. Prandaj onkologjiku nuk ka barna mjaftueshëm, dhe pacientët duhet të paguajnë nën dorë edhe për të marrë dozën e radhës në spital apo për të tejkaluar radhën. Sipas një studimi që kam kryer për arsyet e ikjes së personelit mjekësor, ata zgjedhin të ikin për të ardhura më të mira, zhvillim profesional, karrierë shkencore, status social. Mjekët dhe infermierët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon, spitale që drejtohen nga mësues historie, biologjie, oficerë, punonjës socialë, biznesmen që nuk kanë lidhje me shëndetësinë. Në këtë situatë të shëndetësisë, mbi 1000 mjekë kanë zgjedhur të ikin prej vitit 2013, pjesa më e madhe kanë ulur kokën dhe kryejnë detyrën, ndërkaq një numër i vogël përkulen dhe deformohen nga realiteti duke abuzuar me detyrën, misionin dhe jetën e pacientëve. Nëse do të kishim një qeveri të përgjegjshme, në radhë të parë do jepte dorëheqjen Ministri Shëndetësisë, si përgjegjës për politikbërjen në sistemin shëndetësor, dorëheqje të Drejtorit të QSUT dhe Shefit të Shërbimit onkologjik, si dhe një plan masash për ndërhyrje emergjente me investime dhe rritje buxheti për onkologjikun, por jo vetëm të tij, si dhe me plan reformash. Por kjo qeveri, nuk ka vizion, nuk ka dëshirë të reformojë sistemi, aq më pak të jetë e përgjegjshme.
-Si do të vepronte PD për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve nëse do të ishte në pushtet?
Cilësia e jetës e qytetarëve sot është e cënuar nga shumë element: çmimet e larta, papunësia, të ardhurat e ulëta, mungesa e rendit, korrupsioni, kujdesi shëndetësor, siguria ushqimore, siguria e ambientit. PD përmes programit të saj i shpall luftë korrupsionit, duke mbështetur SPAK si institucion që ka besueshmërinë e 60% të popullatës, që po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë, ngritjes së karabinierisë, gjetjes dhe sekuestrimit të pasurive publike të vjedhura, aplikimi i taksës së sheshtë 9%, uljes së informalitetit që është në nivelin 40%, zhvillimit të bujqësisë përmes mbështetjes me 100 milion Euro grante dhe 50 milion Euro investime në infrastrukturë, hapjes së vendeve të punës, zhvillimit të teknologjisë dixhitale përmes trajnimit të rinisë dhe rritjes së të ardhurave të tyre. Pra, është një platformë multidimensionale, ku secila fushë është pjesë e një mozaiku të madh, që është ekonomia shqiptare. Ne shpresojmë që qytetarët shqiptarë të besojnë në programin tonë, si dhe të na besojë si alternativë qeverisëse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 me qëllim që të zbatojmë të gjithë planin tonë politik, me qëllim dhënien fund të periudhës kaotike 32-vjeçare, të ashtuquajtur “tranzicion politik”, por që realisht është qeverisje nga një kastë politike që doli nga xhepat e Partisë së Punës.
Intervistoi: Rigels Seliman