Gazment Bardhi mashtrues ordiner, asnjë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, Edi Rama e nominon “çingije” të Sali Berishës
Elmas Bogdani
Vazhdon telenovela e mashtrimeve të deputetit demokrat Gazment Bardhi me dosjen “Xibraka”. Vetëm pak orë, pasi Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, u paraqit ditën e djeshme në SPAK (28 qershor), për të marrë një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme, ka qenë kreu i qeverisë Edi Rama, i cili e ka publikuar përgjigjen e Prokurorisë. Në përgjigjen e prokurorisë së Posaçme vërtetohet zyrtarisht se Gazment Bardhi nuk ka kryer asnjë kallëzim penal ndaj Olsi Ramës. “Në kuadër të veprimeve verifikuese, është kërkuar informacion nga Zyra e Regjistrit në Prokurorinë e Posaçme, dhe nga shkresa Nr. 7973/1 Prot. datë 29 Maj 2024, rezulton se i kallëzuari Gazment Bardhi nuk ka paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ndonjë kallëzim penal në ngarkim të shtetasit Olsi Rama përgjatë vitit 2024”, thuhet në përgjigjen e publikuar nga Rama. Pra del hapur se Bardhi ka mashtruar.
Reagimi i Ramës
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha janë vetëm kërcime të çingijes në prehrin e tutorit të ri lart në ballkon. “A ju kujtohet kur thoshte “kallëzim more kallëzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallëzuar, t’i bënte kallëzim për kallëzim të rremë. Mirëpo ja që s’paska qenë kallëzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehrin e tutorit të ri lart në ballkon. Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallzim që nuk ekziston! Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehrin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallëzimin e paqenë!”, shkruan Rama.
Përgjigjja e Bardhit
Por pas publikimit të përgjigjes së Ramës, reagoi dje edhe Gazment Bardhi. Bardhi thotë ai ka bërë kallëzim, por jo në formën siç e do kryeministri Rama. “Po more budalla po kallëzim kam bërë! Lexo përgjigjen e drejtuesit të prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani! Unë nuk do bëjë kallëzimin në formën që don ti dhe yt vëlla, me qëllim rivarrosjen e çështjes që ekziston nga Prokuroria e Hanoverit. Unë kam bërë kallëzim siç e kërkon ligji në këtë fazë ku ndodhet çështja penale, dhe që ka risjell ekzaktësisht atë që unë kam kërkuar: “Rihapjen e dosjes penale 335/1-2016 që prokurori yt personal e kishte varrosur në 2018”, shkruan Bardhi. Vetë Olsi Rama tha pasi doli nga SPAK se nuk ka asnjë lidhje me çështjen. “Nuk e di se çfarë ka vendosur prokuroria për kallëzimin tim. Do e shoh dhe do ju njoftoj nëse është e domosdoshme. E kam bërë kallëzimin se është bërë një manipulim i madh. S’kam asnjë çerek lidhje me bosët e Xibrakës. Dëgjo, ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti. Ia kam marrë një personi në atë kohë për të bërë dy ditë udhëtim në Selanik. I kam mohuar të gjitha, se nuk ka asgjë të vërtetë. Do të vij sa herë të jetë nevoja”, tha ai. Kujtojmë se Olsi Rama në maj të këtij viti depozitoi një padi në SPAK ndaj deputetit të opozitës Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e këtij të fundit se Olsi Rama ka lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë në vitin 2015. Në kallëzim e Olsi Ramës, thuhet se ai i referohet një deklarate të Bardhit bërë publike për median online lidhur me të. Sipas tij deklarimet e Bardhit përbëjnë elementë të veprës penale “Kallëzim të rremë”. Nga ana tjetër SPAK ka rihapur hetimet për dosjen “Xibraka”.
Si e filloi mashtrimi Bardhi që vitin e kaluar?
Serinë e këtyre mashtrimeve Gazment Bardhi e filloi që në dhjetor të vitit të kaluar, kur paralajmëroi edhe me datë se do të publikojë dokumentet e dosjes që vërtetonin se të dhënat në sistemin TIMS u vodhën vetëm për të favorizuar vëllain e kryeministrit Rama. Jo vetëm që nuk i publikoi në atë datë, por nuk e përmendi dosjen, deri para disa javësh. Por edhe me publikimin e këtyre fakteve sipas Bardhit duket qartë se në të gjithë këto dokumente ka një lumë thashethemesh, pasi ai ka hedhur në treg një akuzë dhe disa lajme të bëra publike kohë më parë, të cilën e materializoi javën e kaluar. Informacionet për Genc Xhixhën, personazhin kryesor të kokainës së Xibrakës që Bardhi tregoi se e shpëtoi Olsi Rama kanë dalë që në vitet 2015-2016. Me një kërkim të thjeshtë në “Google”, mund t’i gjesh shumë kollaj. Akuzat e tij ndaj familjes së Ramës bëhen më të pabesueshme në momentin aktual, kur dihet shumë mirë aleanca aktuale e grupimit të Berishës me Edi Ramën. Të gjithë bashkë i ka bashkuar paniku i goditjes nga drejtësia dhe janë bashkuar për të zhbërë një reformë e cila ka ngrënë kokat e para me në krye Sali Berishën. Sa real është informacioni i Bardhit dhe lajmet e tij se e ka çuar dosjen në SPAK? Ai është i pabesueshëm pasi kjo nuk është hera e parë që Bardhi luan me denoncime dosjesh. Para disa muajsh ai denoncoi vilën 750 mijë euro të padeklaruar të Flamur Nokës, por që në fund nuk u materializua si kallëzim në SPAK pasi vetëm me përmendjen si aferë ai i ka arritur pazaret. Si mund të besohet Bardhi, kur brenda një kohe të shkurtër është transformuar totalisht me qëndrimet ndaj Berishës dhe Metës. Bardhi ka shkëmbyer akuza të llahtarshme me Sali Berishën që kur amerikanët e futën në “listën e zezë” familjarisht me akuzat e korrupsionit madhor dhe minuesit të demokracisë. Gazment Bardhi nuk sulmoi vetëm Berishën, por edhe aleatin e tij Ilir Meta dhe besnikët e tij që i shkuan nga pas. Në fund për interesat e tij personale ai ka “gëlltitur” çdo akuzë.