Nga Rigels Seliman
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dje tatimin 15 % për profesionet e lira. Sipas këtij vendimi, ata që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim. Ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të takohen 23%. Pas shqyrtimit gjyqësor gjykata me shumicë votash vendosi të shfuqizojë 2 pika: Neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, si dy pika që cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike.
Vendimi
Në vendimin e lexuar nga vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thuhet se ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla. “Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti ne këtë përfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore. Sa me sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash: Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit”, thuhet në vendim. Ndërkohë vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. Kujtojmë se janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që prekeshin nga ky ligj. Kërkesa për të shfuqizuar tatimin u bë nga Partia Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët dhe avokatët, kërkesat e të cilëve u bashkuan në një të vetme.
Reagon Qëndresa Qytetare
Ndërkohë Qëndresa Qytetare në një reagim mediatik theksoi dje se u votua kundër gjobvënies, pasi me këtë taksë qindra sipërmarrje të lira do të kyçeshin dhe profesionistët do të ishin të ekspozuar përballë një tjetër vale eksodi. “Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese argumentohet se nuk u respektua parimi i sigurisë juridike si dhe parimi i proporcionalitetit dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla. Që në fillimet e propozimeve të kësaj takse e ka cilësuar atë gjobëvënie, që do kishte pasoja fatale për profesionet e lira. Ky vendim nuk ishte rastësi pasi vjen një ditë pas protestës qytetare kundër Bandës Onkologjikut, teksa në 13 Qershor qytetarët u tubuan pikërisht përballë kësaj gjykatë për të protestuar kundër taksës për profesionet e lira. Me këtë taksë qindra sipërmarrje të lira do të kyçeshin dhe profesionistët do të ishin të ekspozuar përballë një tjetër vale eksodi”, thuhet në reagimin e saj. Sakaq Qëndresa Qytetare vlerëson se qeveria duhet të hartojë politika mbështetëse për profesionet e lira si një mekanizëm për nxitjen e sipërmarrjes dhe kthimin e Shqipërisë në një oaz të profesioneve të lira.