Komisariati i Policisë së Krujës, ditët e fundit ka punuar me intensitet të lartë lidhur me ngjarje të natyrës së vjedhjeve me dhunë apo me armë të kazinove në qytetin e Fushë Krujës. Sot është bërë e mundur goditja e një grupi kriminal, që ushtronte aktivitet në këtë fushë.
Pas gjithë ngjarjeve të ndodhura e të dokumentuara, në 1 korrik u bë e mundur kapja e njërit prej autorëve të përfshirë në këto ngjarje, ndërkohë që sot, veprimet procedurale finalizuan me sukses zbulimin dhe kapjen edhe të tre personave të tjerë të dyshuar si bashkautorëve të këtyre veprave. Në pranga kanë përfunduar Fatjon Gjeta, Romario Shtijna dhe Jetmir Xhixha, përkatësisht të moshave 19, 18 dhe 22 vjeç.
Policia bën me dije se në orën 20:30 të datës 1 korrik, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Mentor Çangu, 20 vjeç, banues në fshatin Nikel-Krujë. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, katër personat në fjalë dyshohet se në datën 1 korrik, në një kazino ne qytetin e Fushë- Krujës, pasi kanë kërcënuar me armë zjarri rojen e lokalit, kanë hyrë dhe kanë marrë në të shumën prej 130.000 lekë.