Një argjendari në rrugën “Nënë Tereza” në Kamëz ka rënë pre e grabitësve këtë pasdite. Mësohet se autorë kanë qenë 3 persona. Të maskuar kanë hyrë në argjendarinë “Marsi” dhe nën kërcënimin e një automatiku kanë marrë disa bizhuteri floriri me peshë 500 gram, të cilat kanë qenë në tavolinë për shitje. Punonjësit e argjendarisë, kanë deklaruar se grabitësit nuk kanë arritur të marrin para. Më pas, autorët janë larguar me një automjet tip “BMË” në drejtim të paditur. Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Report Tv mëson se targat e BMË-së që kanë përdorur 3 autorët për të kryer grabitjen, i përkasin në fakt një automjeti tip “Hunday”. Dyshohet se targat janë vjedhur, teksa po ashtu ka dyshime se dhe vetë makina është grabitur. Fillimisht autorët kanë ardhur nga Fushë Kruja ndërsa janë larguar në drejtim të Laknasit. Pronarja e argjendarisë ka deklaruar se njëri prej autorëve fliste dialekt nga jugu i vendit. Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të zbardhur detaje lidhur me identitetin e grabitësve. Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.
Përgjimet “Sky”
Nga na tjetër, Prokuroria e Posaçme ka vënë në sitë pasuritë e disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Policisë. Burime nga struktura antikorrupsion, kanë konfirmuar se një hetim pasuror po kryhet ndaj Oltion Bistrit, ish drejtorin e forcave Operacionales, ish-shefin e Kurbinit Dritan Metaj, ish shefin e krimeve të komisariatit nr.6 Dedan Gjoni, shkruan “Top Channel”. Hetim pasuror po kryhet edhe ndaj ish shefit i krimeve kundër personit në Shkodër, Ardit Hasanbega. Të gjithë janë nën arrest me burg. Gjithashtu, edhe për Sokol Idrizajn, po bëhen verifikime për pasurinë e tij. Mësohet se prokuroria e posaçme po verifikon edhe pasuritë e disa ish zyrtarëve të tjerë të policisë mes tyre Erzen Breçani dhe një polic Arlind Ismailukaj, i kapur në hetimin e Kurbinit, ku u shpall sërish në kërkim Gezim Cela, një ish-oficer policie i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Arrestimi i Erzen Breçanit dhe Dedan Gjonit
Zbërthimi i aplikacionit SKY ECC çoi në goditjen e një grupi kriminal që rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri pjesë e së cilës dyshohen se janë zyrtarë të policisë dhe ish zyrtarë. Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti, në pranga ranë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Germizi emër i njohur i botës së krimit në Kukësi. Arrestimi i Erzen Breçanit bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë u bë mbrëmjen e 20 nëntorit 2023. Të dy janë arrestuar pranë stadiumit ‘Air Albania’, pasi kishin prerë bileta për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe. Breçani dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Ndërkohë mes të arrestuarve në oporacionin Metamorfoza në korrik të këtij viti, mes emrave të zyrtarëve të lartë të policisë, u arrestua me urdhër të SPAK, Oltion Bistri, ish-shefi i Operacionales.
Kishin fshehur kokainën në lavatriçe, arrestohen dy shqiptarë në Itali
Sakaq, dy të rinj shqiptarë janë arrestuar nga policia në Itali, pasi u është gjetur një sasi kokaine e fshehur në lavatriçen e shtëpisë. Mediat italiane raportojnë se dy të rinjtë shqiptarë, të dy të moshës 25-vjeçare, janë kapur teksa tentuan të iknin nga banesa nga kopshti i tyre tek fqinjët, pasi kuptuan prezencën e policisë. Më pas policia ka zhvilluar kontrolle në banesën e dy shqiptarëve, ku ka gjetur të fshehura në kapakun e lavatriçes 37 doza kokainë, si dhe disa thasë dhe gërshërë që përdoren për paketimin e dozave individuale. Po ashtu të rinjve u janë sekuestruar edhe një shumë parash prej rreth 2000 euro, të cilat dyshohet se janë të ardhurat e veprimtarisë së trafikut të drogës.
Sekuestrohen mbi 26 kg kanabis pranë kufirit me Greqinë, arrestohen dy shqiptarë
Ndërkohë rreth 26 kilogramë lëndë narkotike kanabis janë sekuestruar dje pranë kufirit greko-shqiptar, në Kapshticë. Sipas informacioneve prej operacionit të zhvilluar nga policia kufitare greke nisi me kontrollin në një banesë në pronësi të një shtetasi grek, aty ku u gjetën 27 pako me kanabis me peshë totale 26.2 kilogramë. Nga hetimet rezulton se këtë sasi droge e kanë futur në Greqi dy shtetas shqiptarë ditën e djeshme në orët e para përmes një automjeti dhe më pas e kanë çuar në banesën e grekut 36 vjeçar. Mjeti i transportit u gjet në Follorinë dhe brenda tij shoferi dhe pasagjeri, shqiptarë të moshës 32 dhe 37 vjeç. Brenda në mjet kishte vende të improvizuara për transportin e drogës.