Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga grabitja e dështuar e dy netëve më parë në fshatin Prush të Tiranës ku pati edhe një shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve. Grupi hetimor ka mundur të marrë dëshmitë e efektivëve të policisë që mbërritën të parët në banesën që ra pre e vjedhjes së dhunshme. Rezulton se kanë qenë 5 persona që kanë bashkëpunuar në këtë grabitje. Njëri prej tyre ka pritur poshtë rrugës, disa metra larg shtëpisë në mjetin me të cilin ata kanë shkuar deri në fshatin Prush. Katër të tjerët janë afruar në banesën e familjes Hima dhe kanë trokitur aty. Ata kanë qenë të veshur me jelekë të policisë dhe pasi është hapur dera janë prezantuar si efektivë policie dhe kanë nisur t’i kanosin. Por ndërkohë ka qenë njoftuar policia dhe disa minuta më vonë ka mbërritur në vendin e ngjarjes një patrullë e policisë, që në atë momenti ishte më e afërta në zonë. Kur efektivët janë futur në pjesën e brendshme të banesës autorët, pra 4 nga grabitësit, kanë hapur zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, 3 prej tyre, sipas të gjithë skemës së ngritur nga policia janë larguar në zonën e pyllëzuar pranë banesës duke u fshehur. Tjetri është afruar pranë makinës që i priste disa metra më tutje. Në momentin që dy autorët në makinë kanë tentuar të largohen patrulla e policisë u ka ndërprerë rrugën dhe njëri prej efektivëve të policisë është afruar të hapë derën. Por për shkak se makina e autorëve ka qenë me shpejtësi, e kanë shtyrë efektivin. Fatmirësisht ai nuk ka marrë lëndime. Po ashtu, grupi hetimor dyshon se bëhet fjalë për të njëjtët autorë që grabitën me armë një argjendari në Kamëz disa ditë më parë. Kujtojmë se ngjarja në fjalë ndodhi mbrëmjen e së shtunës. Autorët dyshohen se janë larguar me një “Audi” ngjyrë të bardhë dhe që mbante targat e vjedhura të një makine tip “Benz”. Deri më tani asnjë prej tyre nuk është kapur.
Detaje të reja nga vrasja në Fier
Nga an tjetër, është gjetur dhe sekuestruar sot automjeti i përdorur nga 2 vëllezërit Agim dhe Kreshnik Gashi për vrasjen e 41 vjeçarit Elton Javori në 7 dhjetor në lagjen “16 prilli”. Policia ka nisur hetimet për 70 vjeçarin Rexhep Puka, burrin e tezes së dy vëllezërve të arratisur. Mësohet se i moshuari e kishte fshehur automjetin në garazhin e banesës së tij. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Në banesë u gjet edhe një mjet tip ‘benz’ i blinduar dhe brenda tij një targë automjeti tjetër. Ndaj 70 vjeçarit rëndojnë akuzat për “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Pas detajeve të zbardhura nga policia për vrasjen e 7 dhjetorit, u mësua se edhe Elton Javori kishte ishte kundërpërgjigjur me armë zjarri ndaj Agim Gashit dhe vëllait të tij Kreshnik Gashi. Por njëri prej plumbave të pistoletës së Agim Gashit ka rezultuar fatal për Javorin pasi e ka qëlluar në kokë. Pranë viktimës është gjetur edhe arma e tipit ‘pistoletë’, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Mësohet se pista e konflikteve banale është më e besueshmja për momentin, pasi të dy, viktima dhe autori, rreth një vit më parë kanë pasur një përplasje mes tyre, që me sa duket kishte mbetur e pasqaruar. Elton Javori, të cilin në Fier e njohin me emrin Erjon, prej kohësh jeton me vëllain në Gjermani dhe së fundmi ishte kthyer në Fier, jo më shumë se 2 javë më parë. Në njërën nga këto ditë, ishte takuar rastësisht me Gashin dhe burimet thonë se janë konfliktuar verbalisht, duke e lënë të hapur sherrin. Në kushte të tilla, Agim Gashi, i cili rezulton të jetë nipi i Kujtim Kuçit, një tjetër personazh i botës së krimit në Fier, mendoi të hakmerret me eliminimin e Javorit, detyrë që e çoi deri në fund. Ai njihet si njeri problematik në qytet.