Nuk kanë fund skandalet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, shkurt AKSHI që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj. Edhe pse kjo e fundit drejton një prej institucioneve më të rëndësishme në vend që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe ndërkohë ushqehet edhe me fonde nga partnerët ndërkombëtarë për të asistuar sektorët digjitalë që ofrojnë shërbime për qytetarët, nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka rezultuara një dështim. Prej disa muajsh çdo institucion dhe faqet e saj online ka rënë pre e hakerave, duke futur në kolaps sistemin dhe bllokuar çdo akses, ndërkohë që AKSHI mban sehir, duke mos ndërhyrë për të parandaluar thellimin e kaosit. Por sikur të mos mjaftonin këto, një tjetër skandal ka plasur, teksa mësohet se shërbimet elektronike në vend janë bllokuar prej 10 ditësh, ndërsa është paralizuar puna e bizneseve. Për këtë skandal askush nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe në këto kushte të gjithë pyesin se përse nuk ndërhyn Prokuroria Speciale (SPAK) për të hetuar këtë shqetësim që ka mbërthyer së fundmi shqiptarët dhe bizneset.
Endri Hasa ngre alarmin
Megjithatë më shumë detaje rreth këtij skandali ka dhënë sekretari për Burimet njerëzore dhe koordinimin Dixhital në Partinë Demokratike zyrtare, Endri Hasa, i cili ka denoncuar dje se prej 10 ditë shërbimet më të rëndësishme elektronike në vend janë bllokuar. Në një deklaratë për mediat, Hasa theksoi se bllokimi i firmës elektronike në E-albania, ka paralizuar punën e qytetarëve, mjekëve, QKB, kadastrave, arkitektëve dhe inxhinierëve. Hasa shprehet se PD kërkon nga institucionet përkatëse të nxisin hetim për këtë situatë e cila ka efekte të mëdha ekonomike në xhepat qytetarëve dhe bizneseve. “Partia Demokratike denoncon me forcë këtë bllokim dhe paralizim të shërbimeve elektronike qeveritare të ofruara nga AKSHI që me çdo orë mosfunksinimi të tyre po dëmtojnë qytetarët dhe bizneset. Partia Demokratike kërkon nga institucionet përkatëse të nxisin hetimin dhe të marrin masa të menjëhershme për këtë situatë e cila ka efekte të mëdha ekonomike në xhepat qytetarëve dhe bizneseve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Hasës.
Ja deklarata e plotë e zotit Hasa
Jemi këtu për denoncuar paralizimin e plotë të shërbimeve më të rëndësishme elektronike për qytetarët. Bllokimi dhe mosfunksionimi i sistemit të firmës elektronike prej mëse 10 ditësh ka bërë që shumica e sistemeve më të rëndësishme për shërbimet ndaj qytetarëve dhe biznesit të mos funksionojnë. Çdo veprim i mjekëve në qendrat shëndetësore për lëshimin e raporteve dhe recetave elektronike është i bllokuar duke paralizuar edhe furnizimin me barna të shumë pacientëve. Çdo veprim për të gjitha regjistrimet dhe ndryshimet në shoqëritë tregtare apo personat fizik si dhe çdo veprim tjetër pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit është i bllokuar duke sjell vonesa në aplikim dhe në shumë raste penalizime me gjoba për qytetarët dhe bizneset. Çdo veprim për regjistrime pranë kadastrës i kryer nëpërmjet E-Albania apo pranë zyrave noteriale është i bllokuar duke sjellë një paralizim të plotë të të gjitha transaksioneve në Kadastër ku për shumë prej veprimeve qytetarët penalizohen me gjoba për vonesë. Aktiviteti i arkitektëve, inxhinierëve dhe çdo profesionisti tjetër të liçensuar për çdo lloj leje ndërtimi, rikonstruksioni si dhe për firmosjen e projekteve apo aplikimeve është i bllokuar. Çdo aplikim në vend që kërkon vulë apo nënshkrim elektronik nuk funksionon, duke bërë që qytetarët dhe bizneset të hasin kosto në çdo orë që kalon. Partia Demokratike denoncon me forcë këtë bllokim dhe paralizim të shërbimeve elektronike qeveritare të ofruara nga AKSHI që me çdo orë mosfunksionimi të tyre po dëmtojnë qytetarët dhe bizneset. Partia Demokratike kërkon nga institucionet përkatëse të nxisin hetimin dhe të marrin masa të menjëhershme për këtë situatë e cila ka efekte të mëdha ekonomike në xhepat qytetarëve dhe bizneseve. Qeveria duhet të rikthejë menjëherë në normalitet funksionimin e sistemeve elektronike të afektuara dhe të marri përsipër çdo kosto dhe të anulojë çdo gjobë të gjeneruar për shkak të problemeve me firmën dhe vulën elektronike. Partia Demokratike po e ndjek me shumë vëmendje dhe seriozitet të gjithë këtë situatë dhe siguron qytetarët se do të ndjek çdo hap ligjor të nevojshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve.