Laert Haxhiu i dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) për masakrën e Lushnjës, është ekstraduar dje nga Greqia nën masa të rrepta sigurie. Gazeta “SOT” mësoi se tre mjete me forca speciale (RENEA) nga Tirana mbërritën në Kakavijë dhe morën në dorëzim Laert Haxhiun. “Falë bashkëpunimit shumë të mirë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë i mundur ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, 32 vjeç. 32-vjeçari është sjellë në Kakavijë, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavijë, nga Forcat Speciale “RENEA”, njoftoi policia. Në një moment, teksa është i ulur në furgonin e blinduar të RENEA-s dhe me pranga në duar Haxhiu kërkon që të mos filmohet. “Hiqe kameran! Mos filmo”, dëgjohet të thotë ai. Haxhiu, kreu i grupit kriminal, bashkë me të penduarin e policisë, Artan Tafani rezultojnë bashkëpunëtor në 4 vrasje në Shqipëri.
Reagon Balla
Ndërkohë në një reagim të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla thuhet se policia do të vijojë për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë arritur ti shpëtojnë. “Po punojmë çdo ditë me ministritë dhe agjencitë e vendeve partnere, Interpol dhe Europol, për gjetjen e personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, të fshehur prej kohësh nga përballja me drejtësinë apo vuajtja e dënimit. Një falenderim për autoritetet homologe greke dhe Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, për vendosjen para drejtësisë së një personi shumë të kërkuar”, shkroi dje Balla në rrjetet sociale.
Por kush është Laert Haxhiu?
Laert Haxhiu, kreu i grupit kriminal, bashkë me të penduarin e policisë, Artan Tafani rezultojnë bashkëpunëtor në 4 vrasje në Shqipëri. Gjithashtu 31-vjeçari ka urdhëruar dhe dy vrasje në Greqi. Të gjitha këto krime kanë ndodhur nga vitit 2018 deri në vitin 2021-shin. Ata vranë Çajup Selimin, Fridman Xhaferajn, Alban Semakun dhe Albi Bashaliun. I pari, biznesmeni Çajup Selimi, u ekzekutua në Tepelenë në hyrje të shtëpisë së tij në lagjen “15 Shtatori” më datë 1 Qershor të vitit 2021. Ai doli nga shtëpia pasi u thirr nga një person dhe u qëllua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte. Për eliminimin e tij bashkëpunuan 6 persona. Një ditë më pas, anëtarët e grupit, kryejnë një tjetër vrasje. Ekzekutohet Fridman Xhaferaj në qytetin e Korçës, por trupi u zbulua 12 ditë më vonë, në rezervuarin e Gjançit. Në atë kohë, dyshimet e policisë ishin se 25-vjeçari ishte ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme. Në vrasjen e 25-vjeçarin bashkëpunuar 7 persona. Vrasja e tretë e zbuluar nga dëshmia e të penduarit Artan Tafani është dhe ajo e Alban Semakut, në 17 tetor të 2021. Ai njihej edhe me emrin Elton Kinezi. U gjet i vrarë në breg të lumit Shkumbin, pesë muaj pasi kishte dalë nga burgu. Në këtë krim morën pjesë: Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija. Ngjarja kriminale e radhës, është vrasja e Albi Bashaliut në 27 dhjetor të 2021. u qëlluam me breshëri plumbash sapo zbriti nga makina për të shkuar në kafe. Krimi ndodhi në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Policia thotë se shkak ka qenë hakmarrja pasi i vëllai, Leonard Bashaliu, vrau Ylber Xhahysën. Por Laert Haxhiu nuk ka qenë vetëm ekzekutor, ai urdhëroi dhe dy vrasje në Athinë ne periudha të ndryshme, atë të Lulzim Qorrit në dhjetor të 2018 dhe Dikens Halilit në tetor të 2021. Ata ishin pjesë e bandave të trafikut të drogës.
Historia e bandës së Lushnjes
Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), deri në atë kohë efektiv i Forcave RENEA. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjes”. Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Aldo Bare hakmerret ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekuton i pret kokën dhe e shkelmon atë rrugëve të qytetit të Lushnjes.
Tentativa e parë për vrasjen e Xhulio Shkurtit
Në Shtator të vitit 2016, në një rrugicë të Lushnjës, Laert Haxhiu udhëton me një Smart. Aty ndeshet në rrugë me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, që shoqërohej me një shokun e tij. “Në atë çast përballë tyre në rrugë ka ndaluar një autoveturë e bardhë tip Smart, me targa italiane e drejtuar nga i pandehuri Laert Haxhiu. Ky i fundit kishte në dorë një pistoletë me të cilën ka qëlluar në drejtim të tyre, derisa i mbaruan fishëkët e pistoletës. Një nga plumbat e pistoletës të të pandehurit ka qëlluar Xhulion në këmbën e majtë, ndërsa një tjetër ka goditur shtetasin Saimo Xheliu në pjesën e barkut. Pasi i kanë mbaruar fishekët e pistoletës i pandehuri i ka thënë Xhulios: “Nuk e ke të gjatë ti!”. Më pas e ka fyer dhe ka vazhduar rrugën me autoveturën e tij drejt kryqëzimit të gjimnazit “18 Tetori” thuhet në dosjen e prokurorisë, sipas dëshmisë së Xhulio Shkurtit. Sipas variantit të babait të Laert Haxhiut, historia ishte më e komplikuar se kaq. “Edhe atë veprim që bëri, që plagosi Xhulio Shkurtin me atë tjetrin, e bëri se ata e shanë, e ofenduan. Prandaj nuk kanë të drejtë ata të shajnë e të ofendojnë njerëzit. Konflikti nisi se këta i thonin ku i ke gjetur lekët ti që ke blerë makinë. Ç’kanë ata se ku i gjen lekët djali im. Apo janë të fortit e Lushnjes ata dhe ekziston akoma ligji i xhunglës tek ata? Ata janë të fortit e Lushnjes dhe mund të bëjnë çfarë të duan me lushnjarët? Jo s’është kjo e vërteta”, ka treguar Qamil Haxhiu. Për këtë ngjarje Laert Haxhiu u dënua me 18 vjet burg, por nuk u arrestua asnjëherë. Nën hundën e policisë, organizoi një atentat të dytë ndaj nipit të Aldo Bares.
Vrasja e Besmir Hidës që kërkoi drejtësi për nipin
Terrorizuese ishte vrasja në Lushnje e biznesmenit Besmir Hida, daja i Zamir Latifit, viktimës së atentatit më lart. Hida dhe familjarët e tij kishin ngritur zërin në media dhe në polici për të kërkuar zbardhjen e vrasjes së nipit të tyre. Ai pinte kafe në lokal kur iu bë atentati. Dy persona të maskuar ngjitën shkallët dhe e qëlluan për vdekje. Në media u raportua se Besmir Hida i kishte thënë policisë se javët e fundit kishte parë të lëvizin me makina luksoze Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin, por sipas tyre nuk është marrë asnjë masë. Ngjarja mbeti e pazbardhur, por mëkati i vetëm i biznesmenit kishte qenë ankesa se policia nuk po vepronte për arrestimin e Laert Haxhiut.
Vrasja e Enver Boriçit
Në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit në vitin 2019 u gjet në një lokal, i vrarë me një plumb në kokë Enver Boriçi. Familjarët e gjetën të ekzekutuar ish-anëtarin e bandës së Lushnjës, pasi kishte qenë duke pirë kafe. Plumbi në kokë i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 52-vjeçari, Enver Boriçi ishte vëllai i Arben Boriçit, i dënuar me burgim përjetë, si anëtar i bandës së Lushnjes.