Një 31-vjeçar shqiptar është dënuar me 12 vite burg nga drejtësia greke për vjedhjen e 550 mijë eurove ndaj kryetarit të bashkisë së Zakynthos, Nikitas Aretakis.
I riu shqiptar u shpall fajtor nga gjykata për vjedhje dhe dëmtim të lehtë, pasi teksa i rrëmbeu valixhen me sasinë e parave brenda kryebashkiakut, e sulmoi atë, shkruajnë mediat greke.
Gjykata e Patras shpalli fajtor edhe ish-oficerin e policisë i cili dyshohet se organizoi vjedhjen, duke bashkëpunuar me shqiptarin. Tre anëtarët e gjykatës dënuan me 8 vite burg ish-oficerin e policisë, ndërsa shqiptari u dënua me 12 vjet e gjashtë muaj burg.
Grabitja e krybashkiakut të Zakynthos ndodhi më 19 prill 2016. Ky i fundit ishte duke ecur në trotuar pranë kishës, në qendër të qytetit, kur i riu vrapoi drejt tij. Ai tha se autori i vjedhjes nuk e kishte mbuluar fytyrën. Policia që hetoi çështjen arriti të gjejë autorin e krimit, pasi ndaj tij ishte lëshuar një tjetër urdhër arresti për një rast tjetër të vjedhjes me dhunë.