Çështja gjyqësore e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit pritet të marrë së shpejti vendimet përfundimtare. Ditën e djeshme, u mbyll dhe mbrojtja e palës së kompanisë së paditur “Albtek Energy” sh.p.k. lidhur me aferën korruptive të Elbasanit. Pas kësaj, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi që në 5 tetor, ora 13:00 të jepet vendimi përfundimtar për djegësin e Elbasanit. Ditën e djeshme, ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili është njëri prej të pandehurve në të dyja çështjet të Elbasanit dhe Fierit, paraqiti nëpërmjet avokatit të tij një raport mjekësor për t’u marrë në konsideratë nga trupi gjykues. Për inceneratorin e Elbasanit janë marrë 10 të pandehur dhe procesi gjyqësor nisi në 21 shkurt të këtij. Ndaj të pandehurve rëndojnë 4 akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Objekt i hetimit u bënë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së koncesionit “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë” si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate konçensioni, kontratë e lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. Për 9 nga 10 të pandehurit, SPAK ka kërkuar në pretencë dënim me 57 vite burg (38 vite me gjykim të shkurtuar)
“Albtek Energy” hedh poshtë akuzën e korrupsionit për djegësin e Elbasanit
Pala mbrojtëse e kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k. hodhi poshtë akuzën e korrupsionit nga SPAK, me pretendimin se janë paguar punonjësit dhe inceneratori i Elbasanit është ndërtuar. Avokati i kompanisë ka theksuar se është cenuar parimi i gjësë së gjykuar, për shkak të vendimit nga Gjykata e Elbasanit që e ka pushuar çështjen.
Pretenca e SPAK me 38 vite burg për 9 nga 10 të pandehurit
SPAK kërkoi që ish-ministri Koka të dënohet me 10 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar mund të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg. Një afat burgosjeje të njëjtë ku kërkua dhe për 2 biznesmenët e inceneratorëve që ndodhen në arrati, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. 7 vite burg (4.8 vite me gjykim të shkurtuar) u kërkuan për biznesmenen Stela Gugallja. Ndërkohë për 5 të pandehur, SPAK kërkoi nga 4 vite burg për secilin (2.8 me gjykim të shkurtuar). Ata janë: Alqi Bllako, ish-Sekretar i MM; Pëllbum Abeshi, ish/Kyetar i Komisionit të Shpronësimit dhe Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit; Jonida Zeqo, ish/anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit nga Ministria e Mjedisit; Bardhyl Çabiri, ish/anëtar i komisionit për dhënien e koncesionit si përfaqësues i bashkisë së Elbasanit dhe Serafin Papa- ish/përfaqësues i Bashkisë së Elbasanit.
Vrasja e Martin Çeços, Prokuroria e Korçës mbyll hetimet, 4 të pandehur
Prokuroria e Korçës mbylli hetimet për vrasjen e tmerrshme të Martin Çeços, 26- vjeçari nga fshati Kolanec, ndodhur në qershor 2022. Pas 14 muajsh hetime të vazhdueshme, organi i akuzës vendosi që të merren të pandehur 4 persona, Valter Mollaj, Edlir Mollaj, Martina Pajollari dhe Bleti Angjo për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”. 26-vjeçari, i cili u var me litar nga 2 kushërinjtë Mollaj dhe bariu Angjo, kishte kërkuar lidhje intime me Pajollarin, e cila ishte e lidhur me Valter Mollajn. Ajo çfarë është më tronditëse është fakti se Pajollari ka qenë dëshmitare në momentin kur u vra Çeço. Vrasësit e hodhën trupin e viktimës në një rezervuar të fshatit Kolanec dhe shapkat e tij i lanë larg rezervuarit për të krijuar mendimin se Martin Çeço kishte kryer vetëvrasje. Ekspertiza konstatoi se i riu kishte vijë të zezë rreth qafës, ç’ka ngriti dyshimet për vrasje. Ishte bariu Angjo ai që zbuloi të gjithë ngjarjen pas arrestimit. Pajollari i tregonte partnerit të saj Valter Mollaj se Martin Çeço e detyronte të rrinte me të, pa dëshirën e saj. Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit rrezikojnë dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.