“Duke qenë se është shtuar numri i turistëve, këtë vit të gjithë strukturat turistike kanë marrë masat për të shtuar kapacitetet, për të rritur standartet e shërbimit, për të marrë punëtorë më të kualifikuar qoftë vendas apo të huaj dhe për të eleminuar ato gojëdhëna që flitet se a do ta përballojë Shqipëria fluksin e madh turistik që pritet të vijë këtë vit. Unë them se Shqipëria është gati për të përballuar çdo lloj fluksi turistik”, Eduart Xhepa, Kryetar i ATA Durrës.
Durrësi po bëhet gati për një tjetër sezon veror, ku operatorët turistikë po kërkojnë mbylljen më herët të vitit akademik, për të pasur mundësinë të punësojnë part-time të rinjtë.
“Kjo është një kërkesë e kahershme e jona, qoftë për studentët, apo për nxënësit e shkollave profesionale, të cilët janë një krah pune i fortë në sezonin turistik. Që universitetet të përfundojnë të gjithë provimet, të gjithë kursin vjetor në qershor. Kjo për ne është një gjë shumë e mirë, sepse është koha e mjaftueshme për të punuar part-time”, Eduart Xhepa – Kryetar i ATA Durrës.
Oguri i mirë është se rezervimet kanë nisur që një vit më parë, por për tur-operatorët ky nuk është një lajm krejtësisht i kënaqshëm.
“Prenotimet kanë nis që në 2023 për 2024 dhe ky është problem edhe i yni, por edhe i agjencive turistike, që janë ndërmjetësit tanë me turistët e huaj. Kështu që kemi pak vështirësi me kursin e Euros, që mezi po e rikuperojmë, por themi që do jemi pak a shumë në ato çmime dhe mendojmë se oferta jonë turistike krahasuar me rajonin do të jetë gjithmonë më e mirë”, Eduart Xhepa – Kryetar i ATA Durrës
Sezonin e shkuar Durrësi u vizitua nga një numër rekord turistësh të huaj, duke tejkaluar shifrat e vitit 2019, që mbahet si më i arti për qytetin, që turizmin e ka motor të ekonomisë.