Xhoana Vraniçi
Eksperti i njohur i ekonomisë Selami Xhepa ka komentuar vendimin e qeverisë për rritjen e pagave në administratën publike dhe skemën e re të pensioneve. Në një intervistë për Top News, Z.Xhepa ka thënë se ky ishte një vendim i cili do duhej të ishte marrë madje shumë vite më përpara, në kuptimin që përmes një procesi të ngadalë por të qëndrueshëm të rritjeve dhe kompensimeve të pagave e për pasojë dhe të pensioneve. Sipas tij, pavarësisht se presim që mund të kemi një rritje të të ardhurave për pensionistët për shkak të rritjes permanente të pagës minimale dhe bashkë me to edhe të pagës maksimale, mbi të cilën aplikohet llogaritja e kontributeve, sërish shëndoshja financiare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore do të jetë shumë modeste sepse raporti i kontribuuesve me kontribuuesit, numri i atyre që kontribuojnë në sistem për pensionistët përfitues, do të vazhdojë që të ketë përmirësime.
-Si do ta vlerësonit këtë vendim të qeverisë sa i përket rritjes së pagave në administratën publike?
Kjo është faza e fundit ndoshta e planit të shpallur nga qeveria e Shqipërisë që prej vitit të kaluar dhe mesa duket ideja e kalimit drejt një page mesatare në ekonomi me 900 euro, po fillon që të marr trajtat e veta në finale duke shkuar drejt realizimit të plotë. Është thjeshtë një proces i politikave të vazhduara dhe që në gjykimin tim janë të domosdoshme në kontekstin e zhvillimeve ekonomike që ka në Shqipëri dhe gjendjen social-ekonomike së vendit. Së dyti, në raport që kemi me vendet fqinje dhe në raport me mundësitë që ka ekonomia e vendit. Është një vendim i cili ndoshta do duhej të ishte marrë madje shumë vite më përpara, në kuptimin që përmes një procesi të ngadalë por të qëndrueshëm të rritjeve dhe kompensimeve të pagave e për pasojë dhe të pensioneve. Ndoshta nuk duhet të kishte kaluar një periudhë mëse të gjatë duke qenë vendi me nivelin më të ulët të pagave krahasuar me rajonin. Është një zhvillim pozitiv e mendoj se ka nevojë të vazhdohet e të ruhet me tempin që të paktën është parashikuar dhe në paketën e reformave aktuale.
-Rritja e pagave në raport me sipërmarrjen private, kjo e fundit a është në kushtet e duhura për të konkurruar me pagat në administratën publike?
Nga pikëpamja ekonomike, pagat në administratën publike nuk mund të vendosen në mënyrë fiktive përtej mundësive, që ka ekonomia për të prodhuar apo për të shpërndarë të ardhura. Nëse e shohim në nivel krahasimor me vendet e rajonit, Shqipëria nuk është ndër vendet që ka nivelin më të lartë të shpenzimeve për pagë apo personeli në raport me GDB-së ose në raport me shpenzimet totale buxhetore gjatë një viti. Nga kjo pikëpamje, mendoj se jemi brenda varialbave krahasuese dhe me vendet e tjera të rajonit. Madje Shqipëria vijon përsëri të mbetet me nivelin më të ulët. Sa i takon impakteve që ka kjo rritje në ekonomi në tërësi, pa diskutim që ka nevojë të studiohet. Realizimi i një operacioni të tillë në një kohë të kufizuar dhe me përmasa të mëdha, sepse bëhet fjalë për rritje goxha të ndjeshme dhe nga kjo pikëpamje efektet e saj mund të krijojnë premisa për rritjen e më tejshme të inflacionit. Vetë Banka e Shqipërisë në raportet e saj dhe në arsyet se është treguar e kujdesshme në politikën e saj të normave të interesit, ka qenë se faktorët e brendshëm që ushqejnë inflacionin, vazhdojnë të mbeten me forcë të madhe. Nga kjo pikëpamje, një efekt mund të jetë që rritja e pagave të ushqejë drejt rritjes së mëtejshme të inflacionit, ç’ka në një farë kuptimi e zbeh efektin e mirëfilltë në të ardhurat reale që marrin qytetarët. Së dyti, impakti i saj është në raport me sektorin privat, kjo është një sfidë për arsye se mundësia e sektorit privat për të konkurruar në tërheqjen e fuqisë punëtore me kualifikimet e duhura. Me nivelet aktuale të pagave, mendoj që është problematike. E si e tillë kjo rivalizon në mënyrë të drejtpërdrejtë sektorin privat në të gjitha sektorët ekonomike.
-Profesor cili është impakti që do të jap në ekonomi rritja e pagave në sektorin publik, merr një notë pozitive apo shoqërohet me shumë problematike?
Në thelbin e vetë, mendoj se është pozitive e duke mos harruar dhe fenomenin e rritjes së çmimeve që ka gërryer në mënyrë dramatike të ardhurat e qytetarëve shqiptarë. Nga kjo pikëpamje, kompensimi i të ardhurave edhe për shkak të fenomenit të inflacionit, mendoj se ishte një domosdoshmëri pa asnjë diskutim. Së dyti, çdo rritje e të ardhurave në ekonomi është një element pozitiv që i ndikon rritjes së konsumit e për pasojë rritja e konsumit e udhëheq rritjen ekonomike. Kështu që ka një sërë lidhjesh shkak-pasojë pozitive që e bëjnë një nismë për t’u përshëndetur. Por kjo duhet shoqëruar dhe me masat edhe nga ana e sektorit privat, pasi ky kompesim i pagave, sigurisht që ka nevojë të ndiqet edhe nga sektori privat. Nga ajo se çfarë ne kemi parë gjatë vitit 2022, sipas statistikave që janë botuar ka rezultuar se rritja e pagave në sektorin privat ka qenë shumë më modeste, mesatarisht 13%. Që do të thotë se kemi përsëri një rritje të madhe të hendekut në shpërblime apo ndarje të pagave mes sektorit publik dhe asaj privat, kur logjika duhet të jetë e kundërta.
-Kjo rritje e pagave në sektorin publik a ka rrezik të nxisë punësimin gri në sektorin privat?
Kjo dihet që rritja e pagave në sektorin privat duke ditur prej kohësh fenomenin e nën raportimit të asaj punës gri apo të themi të asaj pune në të zezë, punës së individëve të cilët nuk rezultojnë kund të regjistruar në institucionet e administratës, qoftë asaj tatimore apo të ISSH-së. Fenomeni i nën raportimit është një fenomen shumë serioz dhe shumë masiv.
-A ka mundësi buxheti shtetëror duke qenë se skema e pensioneve në disa momente është diskutuar në pamundësi financiare për të përballuar të gjitha detyrimet që ka në kategoritë e pensioneve?
Fakti është se pensionet e reja për pensionistët e rinj, kanë filluar që të dalin me vlera relativisht të pranueshme, ç’ka do të thotë se kostoja e këtij instituti do të vazhdojë e do të vij duke u rritur gjatë viteve të ardhshme por nga ana tjetër të ardhurat e ISSH-së do të vazhdojnë që të jenë jo në nivele të tilla që të përballojnë barrën financiare apo detyrimet që ka akumuluar për pagimin e detyrimeve për pensionistët. Pavarësisht se presim që mund të kemi një rritje të të ardhurave për shkak të rritjes permanente të pagës minimale dhe bashkë me to edhe të pagës maksimale, mbi të cilën aplikohet llogaritja e kontributeve, sërish shëndoshja financiare e Institutit do të jetë shumë modeste sepse raporti i kontribuuesve me kontribuuesit, numri i atyre që kontribuojnë në sistem për pensionistët përfitues, do të vazhdojë që të ketë përmirësime. Aktualisht është gati 1.12 dhe pritet që të shkojë në më pak se 1 me 1. Që do të thotë se një i punësuar e njëkohësisht edhe një pension shtesë përveç pagës së tij. Nga kjo pikëpamje është realisht e vështirë që instituti i ISSH-së apo qeveria të ketë mundësi për të bërë një reformë madhore. Sidoqoftë edhe ato ide që janë diskutuar gjatë muajve të fundit, mendoj se duhet të përshpejtohen. Pensionistët të cilët janë me pension nën nivel mesatar, të kenë një rritje më të lartë në mënyrë që të paktën dyfishin e rritjes që kanë pensionet në tërësi në mënyrë që të ketë ngushtim mes pensioneve më të larta dhe pensioneve të ulëta. Dhe kjo është një barrë pasi numri i pensionistëve me pensione që janë nën pension minimal është tepër i lartë bazuar në strukturën e pensioneve që ka Instituti i Statistikave, 30%-40% e pensionistëve që jetojnë me pensione nën nivelin e pensionit mesatar por kjo është masa mëse e domosdoshme. Në kontekstin e rritjes së pagave, nëse nuk vazhdohet dhe me politikat e indeksimit të pensioneve, koeficienti i zëvendësimit i raportit të pensioneve me pagën do të vazhdojë të përkeqësohet gjithnjë e më shumë, ç’ka do t’i bëj pensionet nën nivele jo vetëm të pamjaftueshme por edhe në kufijtë e qesharakes.
-Shqipëria nuk e ka të njohur me ligj minimumin jetik, megjithatë duket se po propozohet nga opozita aktualisht e në momentin që vijnë në qeveri partitë politike i devijojnë këtij premtimi të mbajtur në fushata elektorale për shkak të kostos që ka. Keni ju pritshmëri që ne të njohim me ligj si vend e si shtet me minimumin jetik e rrjedhimisht nuk do të kishim pensione nën këtë masë të përcaktuar si minimumin jetik dhe asnjë lloj përfitimi tjetër çfarë përfshihet në mbrojtjen sociale?
Në vendet e BE ka një standard të përcaktuar për atë që konsiderohet jo minimum jetik por si pjesa e popullsisë që konsiderohet me të ardhurat jo të mjaftueshme dhe kjo konsiderohet kur një individ apo një familje bie nën 60% të të ardhurave median që ka shoqëria. Pra, më shumë sesa minimumi jetik është një indikator i cili përdoret për vendet shumë të varfra, për ata që e kanë të pamundur edhe jetesën. Ndërsa Shqipëria mendoj se është në rrugën për t’u përafruar të paktën me praktikat dhe standardet e BE, mendoj se ka ardhur koha për ta parë në këtë këndvështrim. Pra, për të adoptuar një standard jo më thjesht në vijën e varfërisë që ka Banka Botërore e cila i referohet 10 vendeve më të varfra të botës, vendeve të Afrikës por të marrim si sistem reference atë që përdoret nga BE. Dhe nëse në adoptojmë këtë standard, mendoj se mund të konsiderohet i tejkaluar përcaktimi i minimumit jetik.