Gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka e cila firmosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Sali Berishës duke i bllokuar pasaportën po shndërrohet në një figurë historike, simbol i drejtësisë së re dhe heroinë e luftës për shembjen e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Pasi Gjoka evidentoi se në cilësinë e kryeministrit, Sali Berisha ka marrë vendime në konflikt të hapur interesi për ish-kompleksin Partizani, duke sjellë përfitime për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi ajo ka tronditur dhe socialistët duke çuar pas hekurave dhjetëra zyrtarë për aferën e inceneratorit të Tiranës. Ajo mund të konsiderohet si “gijotina” e Gjykatës së Posaçme SPAK dhe një nga gjyqtaret më të guximshme, që u ka kthyer shpresën për të marrë drejtësi të gjithë shqiptarëve. Në një pjesë të dosjes së vendimit të gjyqtare Irena Gjoka,lidhur me firmosjen e15 urdhër-arresteve ndaj personave në hetim për koncesionin e inceneratorit të Tiranës, zbulohet dhe mënyra si u arrit llogaritja e tarifës 29 Euro/ton që duhet të paguanin njësitë e qeverisjes vendore për depozitimin e mbetjeve. Gjatë hetimeve SPAK ka gjetur të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën. Pikërisht dhe zbërthimi i kompjuterit të Klodian Zotos, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k ka nxjerrë dhe në dritë shumë prova për këtë hetim. Duke iu referuar emaileve të shtetasit Klodian Zoto, SPAK thotë se gjeti lidhje mes Bllakos dhe Zotos. Lidhje të konfirmuara dhe nga dëshmia e shtetasit Vladimir Bezhani, që sipas hetimeve rezulton të ketë qenë këshilltar i jashtëm i ish-ministrit Lefter Koka, dhe në të njëjtën kohë punonjës në kompaninë e Zotos. Por, punën në këtë kompani ai thotë se ia kishte gjetur ish-Sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako. “Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako me ka sugjeruar që të isha këshilltar i jashtëm i ministrit, por duke qenë se nuk do paguhesha nga Ministria, ai më tha që për të marr pagën, do më punësonte tek shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Servises” Sh.p.k. ku dhe jam punësuar nga 2014 deri në 2021. Deri në 2017 unë nuk kam pasur kontratë. Kontratën e kam lidhur pasi përfundoi procedura e dhënies së inceneratorit”.
Detajet
Të dhënat e emaileve, sipas SPAK tregojnë se si shkresat dhe kthim përgjigjet për Ministritë e tjera, apo Bashkinë përpiloheshin dhe konsultoheshin me Klodian Zoton nga ana e zyrtarëve që ishin pjesë e komisionit të përzgjedhës. Të njëjtat emaile konfirmojnë edhe se pas kompanisë që fitoi koncensionin qëndronte Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ky i fundit duke bërë dhe sugjerime për projektin që çuan në rritjen e kostove. Teksa SPAK avancoi me hetimet, përfaqësuesit ligjor të kompanisë që po kryente punimet për inceneratorin e Tiranës, Integrated Energy Bv SPV, i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë dhe kërkojnë lirimin nga sekuestro.
Shkeljet
Dosja e SPAK për inceneratorin e Tiranës zbardh detaje dhe se si ministria e mjedisit kërkoi financim nga buxheti i shtetit pasi Bashkia e Tiranës këmbënguli se nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të përballuar koston e aktivitetit që propozohej. Në faqen 11 të vendimit të gjykatës që caktoi 11 masa arresti me burg për ish-ministrin Lefter Koka, ish-sekretarin e përgjithshëm Aldi Bllako dhe zyrtarë të tjerë e biznesmenë por edhe 4 masa arrest shtëpie, thuhet se bashkia Tiranë e paraqiti këtë qëndrim në mbledhjen e Komisionit të Dhënies së Koncesionit në datën 20 shtator 2016. Pas këtij qëndrimi, vihet në lëvizje Ministria e Mjedisit e cila nis përpjekjet për të gjetur financimin e projektit. Në faqen 12 të vendimit të gjykatës, tregohet se tetë ditë më vonë, Ministria e Mjedisit kërkoi mbështetje nga Ministria e Financave. Në datën 17 tetor 2016, Ministria e Financave ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit se nuk mund të shprehet për këtë projekt koncesionar/ppp, për sa kohë që nuk janë plotësuar kushtet, kriteret dhe dokumentacioni përcaktuar nga legjislacioni në fuqi. Ministria e Financave i sjell në vëmendje Ministrisë së Mjedisit që përpara dërgimit për miratim, të kishte parasysh se kostot përkatëse të projektit të jenë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuara nga Kuvendi dhe nga Këshilli i Ministrave. Ne faqen 11 te vendimit, pika 13 e materialit te SPAK thuhet se pas prezantimit të studimit të fizibilitetit nga kompania para komisionit në koncesionit, bashkia e Tiranës ka ngritur shqetësimin se nuk kishte të ardhura për të mbuluar shpenzimet e projektit. Pas kësaj javë vënë në lëvizje zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, bashkëpunëtorët e Aldi Bllakos të cilët kanë kërkuar miratim me insistim nga Ministria e Financave për mbështetje buxhetore të projektit nga qeveria qendrore. Kujtojmë se sot në orën 10:30, Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën për masën e sigurisë për 15 të hetuarit, disa prej të cilëve më herët kanë mohuar akuzat.