Në Apelin e Posaçëm ditën e djeshme ka dështuar seanca e parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili ka kundërshtuar dënimin e dhënë me dy vite heqje lirie nga Shkalla e Parë për korrupsion në zgjedhje. Raportohet se në sallë ndonëse prokurorët e SPAK ishin të pranishëm së bashku me të pandehurin, Pandeli Kokaveshin, mirëpo vetë Fredi Beleri ka munguar. Në një deklaratë që ka bërë vetë zoti Beleri, deklaron se nuk dëshiron të marrë pjesë pasi ende nuk ka zgjedhur avokat. Kjo duket një taktikë për të vonuar gjyqin i cili në rast të lënies në fuqi, i jep formë të prerë vendimit, duke e shpallur Belerin zyrtarisht të dënuar dhe shumë larg mundësisë për t’iu rikthyer betejës për bashkinë e Himarës, e cila aktualisht drejtohet nga e komanduara nga këshilli bashkiak, Blerina Bala. Burime nga Gjykata bëjnë me dije se ka njoftuar avokatin Edmond Dema e Artjon Kasa, dhe më pas i pandehuri kishte kërkuar që do mbrohej nga Geni Gjyzari teksa ky i fundit njoftoi se nuk është avokat i të pandehurve. Nga ana tjetër, Gjykata cakton avokat kryesisht Pranvera Doçi për Fredi Belerin ndërsa Kokaveshit i jepet koha për ta zgjedhur avokatin megjithatë i cakton Av kryesisht Arben Peço. Bëhet me dije se seanca u shty për Datën 07.06.2024 ora 10:00. Kujtojmë se që prej momentin kur Fredi Beleri është arrestuar, në çdo deklaratë të bërë ka pretenduar që nga fillimi i procesit e deri më sot se kjo çështje është politike. Kujtojmë nga ana tjetër, se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve lokale me akuzën se përmes bashkëpunëtorit, Pandeli Kokaveshi, ofroi 40 mijë lekë për tetë vota përballë kundërshtarit të tij politik, Jorgo Goros i cili kërkonte mandatin e katërt. Gjithashtu, raportohet se Beleri nga koalicioni Meta-Berisha, megjithëse i arrestuar, u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit.
Akuza ndaj Belerit dhe përplasjet diplomatike Shqipëri-Greqi
Fredi Beleri dhe anëtari i shtabit të tij elektoral Pandeli Kokaveshi akuzohen për veprën “korrupsion në zgjedhje”, pasi u përgjuan e arrestuan 2 ditë para votimeve për pushtetin lokal të 14 majit në Himarë. Sipas Prokurorisë së Vlorës, që më pas ia kaloi çështjen SPAK, Beleri dhe Kokaveshi do të ofronin 40 mijë lekë në këmbim të votimit për kandidaturën e Belerit në 14 maj. Ai ishte i gatshëm të ofronte shuma nga 200-500 euro, si dhe favore të tjera si pasaporta helene, leje qëndrimi në Greqi, etj. Pavarësisht burgosjes së tij, Beleri ia doli të fitonte ndaj rivalit socialist Jorgo Goro me 19 vota diferencë. Rasti i tij ka ndërlikuar seriozisht marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Nga njëra anë qeveria shqiptare ia beson rezultatin drejtësisë së saj, kurse pala greke kërkon lirimin e menjëhershëm të Belerit, me pretendimin se po shkelen të drejtat e njeriut. Greqia ka kërcënuar vazhdimisht me bllokim të procesit të negociatave të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.
Gjykata e Posaçme dënoi me dy vite burg Fredi Belerin
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), kujtojmë se vendosi më 5 mars të këtij viti që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. Ndërsa për të akuzuarin si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi e dënuan me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet. Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë. Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë. Para se trupi gjykues të tërhiqej për vendim, Beleri paraqiti qëndrimin e tij përfundimtar, duke e cilësuar hetimin e prokurorisë dhe vendimmarrjet e ndërmjetme të gjykatës si politike, me qëllim vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Bashkinë e Himarës. Ai u ndërpre nga kryesuesi Çela, i cili i kërkoi që të mos anatemonte trupin gjykues, por të paraqiste pretendimet e tij përfundimtare lidhur me akuzën e ngritur nga prokuroria. Beleri mbajti të njëjtin qëndrim si gjatë gjithë procesit, duke e cilësuar hetimin të stisur ndaj tij dhe të paligjshëm. “Që nga fillimi e deri më sot kjo çështje është politike,”, pretendoi duke thënë Beleri, fjala e së cilit u duartrokit nga mbështetësit e tij në sallë.