Pas asaj që ishte denoncuar si zhdukje, fshihej një krim i rëndë në familje. Pëllumb Meta, i cili ishte denoncuar i zhdukur 10 ditë më parë, ishte vrarë dhe groposur nga fëmijët e tij, në kasollen e lopës afër banesës së tij në fshatin Shënavlash të Durrësit. Vrasja ishte kryer mesditën e 10 shkurtit në një nga dhomat e banesës. Më 13 shkurt djali i madh i viktimës 25 vjeç bën denoncimin në polici. Më 22 shkurt policia gjen të varrosur 50 vjeçarin në banesë ndërsa ekspertiza mjeko ligjore konfirmon se ai ishte vrarë me 4 plumba. E një ditë më pas policia arreston dy djemtë e viktimës dhe vajzën e tij ndërsa nis hetimet për nënën e tyre, 49 vjeçe e cila fshehu krimin. Sipas policisë, djali i madh Hyseni, 25 vjeç dhe vajza e vogël, Hygerta, 19 vjeçe janë bashkautorë në vrasjen e të atit, ndërsa djali tjetër Amarildo, 21 vjeç, ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. E ëma Blerina akuzohet se fshehu krimin.
Detajet
Vrasja ndodhi mesditën e 10 shkurtit 2023 brenda në një dhomë në banesë, tre ditë para se 25-vjeçari i cili konsiderohet dhe njeriu që ka shkrehur pistoletën, të ketë bërë denoncimin në polici. Më pas trupi i viktimës është transportuar dhe varrosur në kasollen që ndodhej afër. Hysen Meta ka pranuar krimin në polici pasditen e sotme, ndërsa gjatë ditës ishte vajza 19 vjeçare e cila merrte përsipër krimin duke deklaruar se e kishte kryer vrasjen pasi donte ta fejonte pa dëshirën e saj, por deklaratat e saj nuk e bindnin policinë. Arma e krimit pistoletë model 54 u gjet në një kënetë pranë fshatit. Familja ishte me origjinë nga fshati Shën Mëri i Krujës përbëhej prej 6 anëtarësh, burri, gruaja, 2 djem e 2 vajza. Viktima punonte si roje tek tregu i makinave.
Policia zbardhi dhe motivin e krimit
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit, Skënder Hita doli dje pasdite në një konferencë për median, ku zbardhi gjithë dinamikën e asaj ngjarje që kishte nisur me denoncimin e 25 vjeçarit më 13 shkurt në polici se i ati ishte zhdukur. “Nga hetimet konkluduam se më 22 shkurt nuk kishim të bënim me zhdukjen e një personi për me krim në familje. U gjet trupi i viktimës i varrosur në ambientet e brendshme të banesës së viktimës. Ekspertiza konkludoi vrasjen e tij me armë zjarri. Nga të gjithë provat e siguruara u gjendën provat dhe arrestuam Hysen Metën, Hygerta Metën, të dy fëmijë të viktimës që kanë qenë bashkautorë në këtë krim. Amarildo Meta 22 vjeç është arrestuar i cili me veprimet e tij ka ndihmuar në këtë krim. Shtetasit kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme që kanë pasur dhe nxitja prej babait për një periudhë kohe që vajza të fejohej pa dëshirën e saj”, deklaroi dje Hita.
Si e zbuloi policia ngjarjen?
Ishte vetë 25-vjeçari Hysen Meta i cili kishte denoncuar në polici zhdukjen e babait, çka bëri që uniformat blu të nisnin hetimet. Por pas disa kërkimeve, policia thelloi më tej hetimin, duke dyshuar për një krim në familje, duke futur menjëherë në rrethin e të dyshuarve të gjithë familjarët e viktimës Pëllumb Meta.
Çfarë i tradhtoi anëtarët e familjes Meta pas krimit?
Hysen Meta pas krimit ka lëvizur nga banesa makinën e të atit dhe e ka çuar në Sektorit Rinia në Durrës, shkoi në polici dhe e denoncoi të zhdukur të atin e tij. Pas këqyrjes së kamerave policia u bind se nuk kishte të bënte më me zhdukje, por me një krim.
Zbulohet dëshmia e 19-vjeçares
Ndërkohë është zbuluar dëshmia e 19-vjeçares, e cila u arrestua pasi ka pranuar se ka vrarë të atin. “Doja të ndiqja ëndrrat e mija, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dike që nuk ishte në nivelin tim. Me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja dhe e vrava”, mësohet të ketë thënë Hygerta Metanë polici. Vajza ishte studente e Gjuhëve të Huaja në Tiranë.
Flasin fqinjët dhe krushku i viktimës
Nga ana tjetër, fqinji i Pëllumb Metës, 50-vjeçari që u gjet i varrosur në oborrin e banesës dhe dyshohet se u vra nga e bija, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë me armë zjarri. Sipas tij, ai ka qenë një njeri i urtë, ndërsa pohoi se vajza mund të ketë qenë në prag fejese në zonën e Ishmit. Fqinji tha se ishin familje fanatike. Fqinji hodhi dyshime se në vrasje mund të jetë përfshirë gjithë familja. “Se di nuk kam kontakte nuk kam pasur afrimitet. Me burrin po pija kafe çdo ditë. Nuk e di kur u zhduk. Janë familje fanatikësh. Nuk kemi shkuar. I bri ka bërë denoncim. Më tha me ka humbur baba i thash ‘shko pra denonco’. Dyshimet janë tek familja, te tre fëmijët dhe te nëna. Të vrasësh burrin dhe mos ta dinë, është brenda familjes. Ka pas prona rehat ka qenë, jo i varfër. Nuk bëhet kjo gjë. Tokat i ka të babës”, deklaroi dje fqinji para mediave. Sakaq, Krushku i Pellumb Metës, 50-vjeçarit, i cili u gjet i varrosur në oborrin e banesës në Shënvlash të Durrësit dhe se dyshohet se u vra nga e bija Hygerta Meta, tha para mediave se e njeh mikun e tij si një zotni burrë. I pyetur në lidhje me rrethanat e krimit, krushku, tha se vajza e 19-vjeçare nuk ishte në gjendje që të ‘vriste një pulë’.