Një konflikt për motive të dobëta mes dy adoleshentëve në qytetin e Kuçovës, ka çuar në përshkallëzimin e situatës duke përfshirë në këtë konflikt dhe persona të tjerë. Policia e Kuçovës vuri në pranga ditën e djeshme 4 persona të akuzuar për pengmarrje vrasje e mbetur në tentative e moskallëzim krimi. Katër të rinjtë, të cilët i përkasin moshës nga 16 në 29 vjeç, janë vënë në pranga nga Policia e Kuçovës në lidhje me konfliktin i cili i ka fillesat e tij rreth një muaj më parë. I pari që ra në prangat e policisë ishte Franko Brisku, 25 vjeç. Arrestimi i 25-vjeçarit u bë pasi tentoi të vrasë me thikë shtetasin Erion Kumria, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Tentativa e sulmit ndaj 29-vjeçarit, ishte hakmarrje e 25 vjeçarit, pasi objektivi i sulmit së bashku me dy adoleshentë 16 e 17 vjeç, një muaj më parë kishin marrë peng këtij të fundit djalin e xhaxhait. Policia thotë se arriti të identifikojë e vërë në pranga në kohë rekord autorin e plagosjes, ndërkohë që u zbardh edhe motivi i saj. Të arrestuarit janë Franko Brisku, 25 vjeç, Erion Kumria, 29 vjeç, dhe adoleshentet me inicialet A. K., 17 vjeç dhe Sh. P, 16 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Kuçovë. Arrestimi i tyre u bë këtë të hënë pasi, pas një konflikti të hershëm për motive të dobëta, Franko Brisku ka tentuar të vrasë me thikë Erion Kumrinë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Burime bëjnë me dije se plagosja e djeshme ka ndodhur pasi i plagosuri në bashkëpunim me dy adoleshentet A. K., dhe Sh. P., dyshohet se para një muaji i kanë hequr lirinë R. Briskut, 18 vjeç, djali i xhaxhait të Frankos. Policia e Kuçovës sapo mori njoftimin për plagosjen, identifikuan dhe arrestuan brenda një kohe të shpejtë autorin e dyshuar. Menjëherë pas arrestimit ai u shoqërua në komisariat, ku pas marrjes në pyetje u zbulua dhe motivi i plagosjes së 29-vjeçarit. Pas zbardhjes së kësaj ngjarjeje policia arrestoi në flagrancë të plagosurit dhe dy adoleshentët. Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për Franko Briskun për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Moskallëzim i krimit”. Ndërkohë për Erion Kumria, A. K., dhe Sh. P., për veprat penale “Moskallëzim krimi”, “Heqje e paligjshme e lirisë, kryer në bashkëpunim”.
Ngjarja
Pengmarrje, kanosje, moskallëzim krimi dhe tentativë vrasjeje, të gjitha këto vepra penale janë kryer nga katër të rinjtë e arrestuar dje në qytetin e Kuçovës. Një ngjarje e cila do t’ja kalonte dhe një skenari filmash Hollivudi. E gjithë historia do të niste në muajin nëntor ku R. Brisku, 18 vjeç dhe adoleshenti me inicialet A. K., 17 vjeç, do të kishin një konflikt verbal dhe fizik mes tyre në qendër të qytetit të Kuçovës. A. K., ka marrë disa goditje me grushte nga 18-vjeçari, të cilat nuk do ja harronte. Një ditë më pas, 17-vjeçari, bashkë me shtetasin Sh. P., dhe të plagosurin e ditës së djeshme Erion Kumria, kanë kapur 18-vjeçarin, R. Brisku. Ata e kanë marrë të riun me forcë dhe për disa orë e kanë mbajtur në një dhomë, ku e kanë dhunuar dhe e kanë kërcënuar me jetë. Ata e kanë liruar Briskun pas disa orësh. Ky i fundit pasi është liruar nga tre pengmarrësit, nuk i është drejtuar organeve kompetente por i ka treguar për çastet e vështira që ka kaluar, djalit të xhaxhait të tij Franko Briskut. 25-vjeçari, i ka premtuar që do të hakmerrej ndaj personave që e kishin mbajtur peng dhe kërcënuar djalin e xhaxhait për disa orë. Ditën e djeshme, ky shtetas pasi ka parë në rrugë Kumrien, e ka sulmuar atë duke e goditur me thikë. I riu u identifikua nga policia dhe u plagos vetëm disa minuta pasi plagosi 29-vjeçarin. Ka qenë Franko Brisku i cili gjatë marrjes në pyetje nga uniformat blu të qytetit të Beratit, ka treguar arsen se pse plagosi 29-vjeçarin, Erion Kumrian. Policia pas dëshmisë të të riut, arrestoi dhe tre personat që rrëmbyen 18-vjeçarin, një muaj më parë.