Ish-Zëvendës Komandant Flotës Detare, Artur Meçollari ka deklaruar se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të vijojë ende dhe fitorja do të jetë politike qoftë në Kiev apo në Moskë.
“Lufta në Ukrainë do të jetë e gjatë sepse mënyra se si po zhvillohet, unë kam bindjen se fitorja në Ukrainë nuk do të jetë një fitore ushtarake, por një fitore politike. Pra, unë jam i bindur do të fitojë Ukraina, por fitorja do të realizohet në Kiev ose në Moskë”, u shpreh Meçollari.
Ai vuri në dukje se rrëzimi i qeverive do të sjellë edhe fitoren respektive, në Kiev apo Moskë.
“Do të jetë rrëzimi i qeverive, cila qeveri do të rrëzohet aty do të garantohet edhe fitorja. Sepse po ta shikojmë ka shumë pak hapësira për negociatë. Zelenski ka hedhur një draft negocimi para dy ditësh. Pika e parë e draftit është njohja ose tërheqja e trupave ruse nga territori përfshi edhe Krimenë gjë që është e panegociueshme në këtë moment”, theksoi më tej Meçollari.