Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët. Shqipëria feston 111-vjetorin e Pavarësisë.
Por 28 Nëntori është një tjetër datë e rëndësishme, e cila përkon me lindjen e kryekomandantit legjendar, heroit të Kosovës, Adem Jashari.
Nëse sot do të ishte gjallë, heroi do të festonte 68-vjetorin e tij të lindjes.
Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 dhe jetoi deri më 7 mars 1998. Ai ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK-së).
Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Së bashku me vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore ushtarake serbe, të cilat më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikal në historinë e luftërave. Ai njihet si Komandanti Legjendar i UÇK-së. Urdhri “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës.
Adem Jashari lindi në një familje me tradita patriotike. Ishte djali i tretë i mësuesit Shaban Jashari. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e përfundoi në qytetin e Skënderajit.
Adem Jashari gjithmonë ishte i vetëdijshëm se vetëm krisma e pushkës do ta çlironte Kosovën nga okupimi serbo-sllav. Rrallëherë e shihje pa armë. Ai ishte rritur në frymën e trimërisë, heroizmit dhe atdhedashurisë, nga e cila ia kishte mbjellur heroizmin babai i tij Shabani.
Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri sipas marrëveshjes së autoriteteve kosovare me Ramiz Alinë, për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më 28 shkurt 1998, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy të tjerë.
Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e ’90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-kuonë.
Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve të tij kundër Forcave Federale Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij.
Adem Jashari së bashku me shokët e tij, e thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe policisë.
Shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale jugosllave më 22 janar të vitit 1998.
Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008.
Mbishkrimi në bluzat ishte “Bac u kry”, duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit./ CNA