Merrnin nga 1000-2000 € në muaj sikur punonin me Frontex, AMP pezullon 19 policë në Korçë, mes tyre 2 ish drejtorë e 2 përfaqësues hotelesh
Plot 19 punonjës policie të Drejtorisë së Policisë Korçë dhe drejtorisë së Kufirit e Migracionit janë pezulluar nga puna pasi akuzohen se kanë abuzuar me fondet e Frontex, Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Europian. Mes efektivëve në hetim janë dhe dy ish drejtorë të policisë së Korçës, Arben Joco e Andon Marko, si dhe Andi Ibro, specialist për krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, me gradë nënkomisar, si dhe dy përfaqësues të operatorëve në fushën e hotelerisë të cilët lëshonin fatura fiktive për llogari të efektivëve. Nga hetimet disa mujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës të Jurdiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka rezultuar se këta punonjës policie, nga nivelet e larta drejtuese dhe deri në nivelin zbatues, me veprime të kundraligjshme, nëpërmjet faturave fiktive dhe të falsifikuara, të paraqitura në kohë të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në misionin FRONTEX, kanë përfituar shuma të paligjshme në euro.
Skema
Hetimet kanë nisur nga Frontex kur zyra financiare ka zbuluar faturat e fryra dhe shpenzimet e larta të efektivëve të policisë së Korçës. Menjëherë kanë nisur një verifikim dhe kanë mbajtur nën vëzhgim efektivët. Më pas kanë kaluar dosjen në prokurorinë e Korçës. Përgjimet e bisedave, edhe ato në “whatsapp” kanë zbuluar se efektivët kishin një periudhë të gjatë për të cilën bashkëpunonin duke falsifikuar dokumentet e dietave duke përfituar shuma eurosh. Sipas hetimeve, një dietë ditore e FRONTEX është 50 euro, ndërkohë që për një efektiv apo drejtues janë lëshuar edhe shërbime fiktive me dokumente të falsifikuara edhe për 20 ditë rresht apo edhe më shumë. Kështu efektivët akuzohet se merrni përmes vjedhjes shuma nga 1000 deri në 2000 euro në muaj kur pretendonin se ishin me shërbim për FRONTEX. Hetimi është i shtrirë në periudhën 2020-2024 dhe sipas burimeve abuzimi financiar kap një vlerë të konsiderueshme. Gjithashtu po hetohen në gjendje të lirë edhe 15 punonjës të tjerë. “Nga hetimet ka rezultuar e provuar se nga punonjësit e policisë në nivelin drejtues, në shpërdorim të detyrës, janë nxjerrë një numër i konsiderueshëm urdhra transferimi fiktivë në Stacione të ndryshme të Policisë Kufitare, në juridiksionin e DVKM Korçë, me qëllim favorizimin e punonjësve të Policisë në përfitime të paligjshme, ndërsa nga Sektori i Financës në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, në tejkalim të kompetencave ligjore dhe në shpërdorim të detyrës, bazuar në dokumentacionet fiktive të paraqitura nga punonjësit e policisë, janë lëvruar shuma në euro, të cilat përfshinin shpenzime akomodimi, fjetje, apo dieta të ndryshme”, informoi dje AMP. Ndaj tyre Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje” për akuzën e shpërdorimit të detyrës, vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim të dokumenteve. Ndërkohë AMP ka bërë të mundur ekzekutimin e 21 masave të arrestit për 19 punonjësit e policisë dhe 2 përfaqësuesve të operatorëve të hotelerisë. Bëhet fjalë për një që ka nisur prej një viti dhe vazhdojnë me qëllim nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore dhe të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.