Foshnja e sapolindur, që u gjet dje e braktisur në bodrumin e një pallati në Yzberisht, për fat të keq ndërroi jetë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Lajmi u dha nga Materniteti “Koço Gliozheni”. Sipas ekspertizës, foshnja e seksit mashkull vuante nga hipotermi e thellë, politraumë, hemorragji pulmonare, insufiçiencë multiorganore, dhe arrest kardiorespirator. Ngjarja shokoi opinionin publik. Ndërkohë, forcat e rendit arritën të prangosnin nënën e fëmijës të braktisur. Ajo u identifikua si shtetasja me inicialet E.I., 30 vjeçe. Edhe pse fillimisht refuzoi të ishte nëna e fëmijës, por doli zbuluar pasi iu verifikua telefoni. Më pas, nëna lehonë pranoi se e braktisi të birin, pasi nuk ishte e martuar dhe i frikësohej opinionit publik dhe qëndrimit të familjes së saj. Gjithashtu, 30-vjeçari nuk pranoi të jepte emrin e të atit të fëmijës. Ajo po hetohet për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”. Fëmija i sapolindur u gjet në një divan të nxjerrë jashtë për mbeturina. E ëma mendohet se e ka lindur në këtë vend poshtë pallatit në Yzberisht dhe më pas është larguar. Megjithatë, po punohet për të zbuluar nëse është ndihmuar nga dikush tjetër në këtë veprim ekstrem me pasojë tragjike për fëmijën e saj.
Dhunim i 3-vjeçares në kopshtin “Stinët”, arrestohet edukatorja, 2 policë nën hetim
Forcat e rendit të komisariatit nr.1 të Tiranës ekzekutuan dje urdhër-arrestin e prokurorisë së kryeqytetit për prangosjen e 48-vjeçares, Majlinda Dehima, e cila punon si edukatore në kopshtin “Stinët”. Ajo akuzohet për dhunimin me pasojë thyerjen e këmbës së një vajze 3 vjeçe në kopshtin ku ajo punon. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur kryerjen e kontrolleve në subjektet e arsimit parashkollor dhe shkollor për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij aktiviteti, për shkak se rasti i fundit provoi se pronari i kopshtit “Stinët” në zonën e “Ali Demit” nuk dispononte liçencë aktiviteti, duke kryer fshehje të ardhurash e mospagim taksash. Daniel Danushi, pronari i kopshtit po ndiqet penalisht nga Prokuroria e Tiranës. Më herët përgjatë ditës së djeshme, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kërkoi nga organi i akuzës së kryeqytetit që të hetojë penalisht 2 punonjës të komisariatit nr.1, shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve, nënkomisarin Y.Ç. dhe Specialistin për Hetimin e Krimeve në këtë institucion, nënkomisar B.R. Ata dyshohen se nuk kanë kryer veprime të plota hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kryer keqtrajtimin e të miturës në ambientet e kopshtit “Stinët” në datë 1 nëntor. Ndërkohë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra dhe ka nisur hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për 3 oficerë policie. Lidhur me hetimet e ngjarjes, është kryer ekspertiza mjeko-ligjore ndaj fëmijës, dokumenti i të cilës është dërguar në Prokurorinë e Tiranës.
Halla e vajzës 3 vjeçe: Duam arrestimin e Entela Danushit dhe policëve të kom. Nr.1
Ndërkohë, dje u mbajt një tjetër protestë nga qytetarë në Tiranë pas ngjarjes së dhunimit dhe thyerjes së këmbës së vajzës 3-vjeçe në kopshtin “Stinët” nga edukatorja Majlinda Dehima. Halla e vogëlushes reagoi për “Euronews” duke kërkuar se nuk mjaftohet me arrestimin e 48-vjeçares Dehima, por kërkon prangosjen e bashkëpronares së kopshtit Entela Danushi së bashku me zinxhirin komandues të komisariatit nr.1 për fshehje dhe neglizhencë të zbardhjes së ngjarjes. “Unë jam këtu për të bërë një thirrje të fundit për prokuroren Silvana Lule. Sapo e mora vesh bashkë me ju që është arrestuar edukatorja, por di të them që unë dhe familja ime nuk do të mjaftohemi me kaq derisa të shkojnë mbrapa hekurave zonjën Entela Danushi dhe të gjithë personat nga komisariati nr.1, të cilët janë përfshirë në mbulimin e këtij krimi. Kjo është thirrja ime e fundit që kam”, rrëfeu familjarja e vajzës 3 vjeçe.
Rast tjetër skandaloz në kopshte, një vajzë 5-vjeçe dhunohet nga 2 edukatore
Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi brenda kopshtit privat në Tiranë, ku u dhunua një 3-vjeçare, është bërë publik edhe një tjetër episod dhune ndaj një të miture. “JOQ” bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në një kopsht të Durrësit në shtator dhe është rrëfyer nga mamaja e një vajze 5 vjeçe. Vogëlushja shkonte prej tre vitesh ne kopshtin privat të quajtur “Kinder” dhe është bërë viktimë e dhunës së edukatoreve disa herë. Rasti i parë i dhunës ndaj vogëlushes është regjistruar në korrik, ku një edukatore e këtij kopshti e kishte mbyllur në banjë dhe i kishte shkulur flokët. Në lidhje me rastin ka bënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit, teksa ajo i ka thënë se në banjë nuk kanë kamera. Rasti i dytë është regjistruar në shtator, ku një edukatore tjetër e ka qëlluar me shpullë dhe shenjat e dukshme të dhunës kanë mbetur shenjë në fytyrën e vajzës. Mamaja e vajzës është shprehur se ka kërkuar pamjet filmike të kamerave kur ndaj 5-vjeçares është ushtruar dhunë, por institucioni nuk i ka lejuar t’i marrë. Ajo ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit për rastin teksa kjo e fundit i ka thënë se edukatore e dytë është pushuar nga puna.