Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar dje detaje në reja në lidhje me skandalin në spitalin e Onkologjikut, ku pacientët detyroheshin të shkonin për trajtim në spital privat, pacientëve u jepej më pak ilaç se sa duhej dhe medikamentet u jepeshin farmacive që t’i shisnin. Lala ka zbuluar se gjithçka ka nisur në momentin që është ndërmarrë një operacion për barna kontrabandë, nga zbulimet e komunikimit mes personave të përfshirë, “nxori zbuluar” edhe mjekët e Onkologjikut dhe skemës së përdorur. “Është histori i sistemit, janë përfshirë institucionet, Përfshihet nga roja deri te instancat më të larta. Prokuroria krijoi përshtypjen për një skemë abuzive që i drejtonin pacientët drejt privatit. Hetimi ka nisur në 2022, pas dyshimeve të forma për ilaçe kontrabandë. Në 2023 janë arrestuar 2 punonjës të agjencisë së barnave dhe një është shpallur në kërkim. Kjo ka qenë zanafilla. Duke pasur komunikimin pas tyre, ka pasur disa operacion nga ku janë marrë masa për disa punonjës të farmacive. Nga komunikimet zbulohet se ishin kryesisht barna nga Italia e Greqia, por kishte edhe barna turke”, deklaroi dje gazetarja Klodiana Lala dje në një media.
Vokshi dhe Gjergji reagojnë ashpër
Ndërkohë edhe deputetja e PD, Zheni Gjergji, ka reaguar dje në rrjetet sociale lidhur me skandalin në Spitalin Onkologjik. Sipas deputetes, për këtë skandal duhet kërkuar përgjegjësi kryesor, që është qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Gjergji, e cila është dhe kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, shprehet se për krimet në shëndetësi prangat duhet të kërcasin lart. “Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Ilir Beqaj apo Albana Koçiu, gjenin lekët që duheshin për koncesionet, ndërsa nuk shtuan buxhetin për medikamente dhe pajisje tek Onkologjiku. Ndaj janë sot ata të parët që duhet të mbajnë përgjegjësi. Krimet në shëndetësi kanë emër, dhe për të pasur drejtësi të vërtetë, prangat duhet të kërcasin lart, në krye të punëve”, tha ajo. Sakaq Gjergji e ka cilësuar si çnjerëzore që pacientëve me sëmundje tumorale u është mohuar trajtimi me kimioterapi apo radioterapi. “Raporti i KLSH i vitit 2022 për Sëmundjet Tumorale ishte një ulërimë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministrin Rama, por ata nuk kishin kohë ta shihnin realitetin e tmerrshëm me të cilin pacientët përballen çdo ditë në Spitalin Onkologjik. E kam ngritur këtë problem disa herë në Komisionin e Shëndetësisë e në Parlament, po kolegët e mi të mazhorancës nuk kishin dëshirë të dëgjonin, ata ishin të fokusuar tek propaganda e Manastirliut dhe Ramës për “shëndetësi falas” dhe i shërbyen asaj me sy e veshë mbyllur! Eshtë më shumë se kriminale t’u mohosh pacientëve me sëmundje tumorale trajtimin me kimioterapi apo radioterapi. Është çnjerëzore”, nënvizoi Gjergji. Ndërkaq për deputeten Albana Vokshi, masat e sigurisë ndaj 8 zyrtarëve dhe mjekëve të QSUT janë një hap i vogël, i marr nga drejtësia. Sipas saj, duhet që të shkohet në radhët e zyrtarëve më të lartë. “Masat e sigurisë ndaj tetë zyrtarëve dhe mjekëve të QSUT-së, janë vetëm një hap i vogël, krejt i pamjaftueshëm dhe i vonuar, që nuk prek as nuk e ç’rrënjos korrupsionin malinj në shëndetësi. Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, të mos hetojnë majën e ajsbergut, por zemrën e korruptuar të sistemit, në qendër të të cilit nuk gjenden disa zyrtarët të vegjël, por radha e ministrave të Edi Ramës, nga Beqja te Manastirliu, radha e drejtuesve te QSUT shefave, etj”, deklaroi Vokshi në një deklaratë për mediat.
Skandali te Onkologjiku, Tabaku: Është çnjerëzore se si mund të bëhet biznes me vdekjen
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku, e ftuar dje në një media, ka folur në lidhje me megaskandalin ne spitalin e Onkologjikut. Ajo u shpreh se është e pabesueshme se si mund të bëhet biznes me vdekjen dhe se kjo që ka ndodhur është çnjerëzore. Tabaku u shpreh se skandal akoma më i madh është fakti që në këtë skemë abuzive ishte e përfshirë edhe zv,drejtoresha e Onkologjikut. Më tej Tabaku u shpreh se kur ne i përmendim dhe i denoncojmë këto abuzime na thonë se bëni politikë me sëmundjen, por sot rezultoi që denoncimet tona janë të vërteta dhe ajo që pamë ishte një skandal se si bëhej biznes me sëmundjen dhe vdekjen.