Policia e Kosovës informon se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e Liridona Murselit, bashkëshortes së ish këshilltarit të Behgjet Pacollit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit 2023.
Në informacionin e saj polici nuk jep detaje mbi personat e arrestuar por një nga mediat kosovare, index, hedh dyshime se njëri prej të arrestuarve është Naim Murseli.
Në kuadër të arrestimeve janë kryer dhe bastisje në dy lokacione në Gjakovë.
Njoftimi i policisë
Grabitje me pasjoja të vrasjes
Me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.
Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.
Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.