Një 27-vjeçare në Kamzë, nënë e një vajze 2-vjeçare, i ka dhënë fund jetës dy ditë më parë duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i publikuan foto intime në rrjetet sociale. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dje edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Spiropali kërkon dënim maksimal për personin që ka nxitur këtë tragjedi. “Si nënë, si grua, si ministre dhe deputete e Kuvendit, nisur nga këto fenomene traumatike, jam duke ndërmarrë një iniciativë të propozimeve konkrete për dhunën me bazë gjinore, për ndërhyrje në legjislacion në linjë me rekomandimet e GREVIO-s dhe legjislacionin e BE-së. Jam e hapur për çdo sugjerim nga shoqata ose individë, për këtë plagë që shkatërron e merr jetë njerëzish”, u shpreh Spiropali. Duke dhënë detaje për ngjarjen, ministrja Spiropali tha se ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi. “Një ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë hetimi ka marrë një tjetër kthesë. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e gruas së re. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh banal TikTok-u, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera. Ky rast tmerrësisht i rëndë, ashtu si rastet e mëparshme të raportuara, apo ato raste që nuk raportohen kurrë dhe vihen në heshtje, kërkojnë drejtësi”, theksoi Spiropali. Sipas ministres, dënimi maksimal i autorit për shkaktim dhe nxitje të aktit të vetëvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë. “Gjuha e poshtërimit, shantazhit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në medien vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria. Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë. Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shantazhit, shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror”, nënvizoi Spiropali.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë