Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje pas kërkesës së Partisë Demokratike për verifikimin e kryebashkiakut socialist në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj.
Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilën thotë se KQZ si organi i vetëm që administron formularin e vetë deklarimit duhet t’i kërkojë që të verifikojë një subjekt të caktuar të zgjedhur. “Në referencë të nenin 8, pikat 1 e 4, të ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe Kreun III, pika 3 shkronja “c”, dhe Kreut V, pika 4, të Vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, kryerja e verifikimit të të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme kërkohet nga organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetë deklarimit që është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, sipas këtij ligji, në çdo rast nëse kërkohet nga një prej subjekteve që gëzojnë të drejtën e nismës për verifikimin e të dhënave, sipas nenit 7, të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, thuhet në kërkesë.
Ja çfarë ka ndodhur
Ndërkohë nga ana tjetër, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë sipas ligjit të dekriminalizimit të Kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj. Në dokumentin që mban datën 2 korrik 2024 thuhet se Prokuroria e Antimafias Italiane e akuzon si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Kërkesa është firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi dhe deputetët Dhurata Cupi, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Ramadan Likaj, Sorina Koti, Albana Vokshi, Luan Baci, Elda Hoti, Edmond Spaho, Emilja Koliqi, Flamur Hoxha, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati dhe Asllan Dogjani. Nga informacionet që disponohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë së Malsisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të ligjit nr. 138/2015. Kjo kërkesë bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna dhe informacione, që ngrenë dyshimin e arsyeshëm, se subjekti Tonin Marinaj, ka kryer veprimtari të paligjshme.
Reagimi i Tonin Marinajt
Sakaq, kryebashkiaku i Malësi së Madhe Tonin Marinaj, në një reagim në Facebook shkruan se ky është një skenar i dobët i frymëzuar nga ata që rrinë pas dritares, duke iu referuar kryetarit të PD Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie. ‘Jam suprizuar nga një deklaratë nga zyrat e njërës prej PD- ve të shumta në qarkullim. Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë “skenar” të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi. Jam i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtimin tim. Ofroj bashkëpunimin tim maksimal për t’i lehtësuar punën me një synim të vetëm: Të gjitha të vërtetat të dalin në shesh dhe t’i mbyllet goja e shthurur e shpifjes çdo personi, qoftë ose jo anëtar apo drejtues i njërës prej PD- ve”, thotë ndër të tjera Marinaj.