Pasditen e sotme, një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Paulesh, me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur. Sipas burimeve të policisë, një automjet tip Benz me targa AA 523 DA është përplasur me një tjetër automjet me targa AA 991 AF.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesit e dy automjeteve të përfshirë në aksident, të cilët janë transportuar drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit, për marrjen e ndihmës mjekësore. Aksidenti për drejtuesin e automjetit tip Benz, Dashamir Leka, ka rezultuar fatal duke ndërruar jetë në spital, vetëm pak minuta pas aksidentit.
Ndërkaq burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se në gjendje të rëndë për jetën gjendet edhe drejtuesi i mjetit tjetër me targa AA 991 AF, Arben Poroçani. Lidhur me këtë aksident, blutë e Elbasanit kane nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.