Eksperti i energjisë Lorenc Gordani foli sot lidhur me problematikat e energjisë, duke theksuar se projeksionet flasin për probleme në periudhën e dimrit.
Gordani tha se situata e Kosovës duhet të shërbejë si kambanë alarmi për Shqipërinë, duke shtuar se në vendin tonë s’ka qasje me tregun por vazhdimësi rutinë, çka sipas tij duhet të na shqetësojë dhe godasë. Gordani vuri në dukje se tre janë zgjidhjet e mundshme për situatën, mes të cilave nuk përjashtohen as kufizimet.
“Situata aktuale si çdo vit në Shqipëri, në këtë periudhë bëhet kritike sa i takon rezervës ujore. Specifika e këtij viti ka të bëjë që sadopak të blejmë në import, ajo kushton shumë më tepër. Edhe ngjarjet e fundit që kanë filluar të prekin rajonin, veçanërisht Kosovën, një zgjidhje optimale e ka të bashkëpunimi mes vendeve. Edhe në këtë optikë është diçka e dobishme në funksion ekonomik.
Duhet një zgjidhje dhe diskutim më i gjerë. Në finale duhet te prevalojë solidariteti dhe mbështetje në masa të qëndrueshme. Në momentin aktual duke qenë se situata në Kosovë është e rënduar, është një aspekt që duhet të bashkëndahet dhe mund të ketë efektin e vet. Kosova do vazhdojë të mbetet deficitare, sepse kështu ka qenë edhe vitin e kaluar. Kosova duhet të na shërbejë si kambanë alarmi. Duhet të vendosen masa reflektive sepse kriza nuk u lë shumë hapësirë vendeve”.
Neve kemi prekur disa herë nëse ka një keqpërdorim dhe keqmenaxhim. Ne mund ta konsiderojmë sikur po mundohemi të menaxhojmë krizën, por jo sektorin e energjisë. Sektori ka mbetur siç ka qenë më përpara. Në këtë moment duhet të kuptojmë rëndësinë dhe potencialin që ofron tregu.
Duhet ta njohim tregun, të bëhemi pjesë e tij. KESH-i duhet ta parashikojë si do jetë situata në javën që vjen. Kemi pasur një anulim të tenderit. Datat 6 dhe 8 gusht kemi pasur dy blerje. Është e paparashikueshme, e them me dashamirësi. Nuk ka qasje me tregun, por një vazhdimësi rutinë. Kjo duhet të na shqetësojë dhe të na godasë, si është e mundur që sot të kemi të njëjtën qasje që kemi pasur”, u shpreh ai.
Gordani tha se pjesa më e vështirë është ajo e dimrit, ndërsa u shpreh po ashtu se në vendin tnë mungojnë programet për efiçencën e energjisë.
“Është e paralajmëruar që nga fillimi i vitit që do kemi situatë të rënduar. Nëse do hyni në bursë, do shihni që të njëjta çmime vazhdojnë në shtator, 4 mujorin e ardhshëm, këto jepen që në faqen e parë. Pjesa më e vështirë është pjesa e dimrit. Shumë vende si ne bazohen për ngrohje te energjia elektrike. Jemi në vështirësi për të përballuar konsumin ose blerjen në tregjet ndërkombëtare.
Buxheti i Ministrisë së Energjisë lidhet me pjesët operacionale, të pagesave, shumë pjesë të kufizuara. Pak ditë më herët kemi pasur një shtim të likuiditetit të kompanisë KESH, duke kaluar në 20 miliardë lekë në injektim të kapitalit. Nuk kemi ndonjë mbështetje të rëndësishme sa i takon sektorit të efiçencës së energjisë. Neve na mungojnë programet për efiçencën e energjisë”, tha ai.
I pyetur mbi mundësinë e kufizimeve të energjisë elektrike, Gordani tha:
“Shumë vende kanë filluar të bëjnë kursim të energjisë, Spanja, Gjermania. Ne jemi koshient nga kontaktet e përditshme që kondicionerët lihen tërë natën në zyre. Kemi shpërdorim të energjisë. Shohim që edhe dritat e rrugës rrinë të ndezura edhe ditën. Ka një detyrim që çdo prokurim publik, çdo para e përdorur nga buxheti i shtetit, të kalonte përmes kritereve të efiçencës.
Tre janë opsionet, ose do preket buxheti për subvencionim, ose do ketë rritje të tarifave, ose energjia do na mungojë sepse s’do kemi mundësi ta blejmë nga importi, dhe do të jemi të detyruar të kemi kufizime të energjisë”.