Mori fund arratia e 42-vjeçarit Klered Bozhanaj, autorit të plagosjes së inspektorit të Forcës Operacionale “Shqiponja” të Tiranës, Edlir Alleshi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-“Kinostudios”. Lajmi u dha nga Policia e Shtetit dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Deri më tani nuk bëhet e ditur se ku u arrestua autori i plagosjes së efektivit të rendit, por ministri Balla konfirmoi nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale se për kapjen e Klered Bozhanajt u angazhuan plot 600 forca policie. I arrestuari kishte pak kohë që qe kthyer nga Italia. Inspektori i patrullës “Shqiponja”, Edlir Alleshi së bashku me 3 kolegë ishin vënë pas Klered Bozhanajt, i cili mbante pistoletë me vete. Në një moment të ndjekjes, 42-vjeçari është kthyer përballë Alleshit dhe e plagosi me 2 plumba në bark. Për fatin e mirë, efektivi i rendit mundi të shpëtonte dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale në spital, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Për kapjen e Bozhanajt, Policia e Shtetit ofroi shpërblim 20 mijë euro.
Ngjarja, Bozhanaj ia mbathi sapo pa policët, e plagosi përballë Alleshin
Edlir Alleshi së bashku me 3 kolegë të tij po patrullonin në rrugën “Hysen Xhura”, në lagjen “Kinostudio”, e ashtëquajtur ndryshe Te Oxhaku. Ata pikasën rreth orës 19:00 të ditës së djeshme një person, i cili në momentin që pa makinën e policisë, u largua me vrap drejt një pallati. Alleshi dhe 3 policët e tjerë u vunë pas këtij personi. Në momentin kur Alleshi dhe i dyshuari u ndodhën përballë njëri-tjetrit, personi fillimisht i paidentifikuar, nxori pistoletën dhe goditi me 2 plumba në bark inspektorin e “Shqiponjës”. Autori i plagosjes përfitoi nga rasti pasi 3 punonjësit e tjerë të policisë ndaluan kërkimin dhe i dhanë ndihmën e parë eprorit të tyre. Më pas, autori i plagosjes u fut në një rrugë të errët pa ndriçim. Policët dërguan Alleshin pranë një lokali ku kërkuan ardhjen e një ambulance. Me të marrë lajmin e plagosjes së Edlir Alleshit, forcat e rendit e identifikuan autorin e plagosjes me emrin Klered Bozhanaj, 42 vjeç. Pasi Ministri i Brendshëm Taulant Balla i kërkoi publikisht autorit të plagosjes së inspektorit të “Shqiponjës”, policia shoqëroi familjarë të Bozhanajt duke kërkuar që ta bindnin të dorëzohej. Autori i plagosjes vazhdoi të largohej dhe për të shmangur lokalizimin e tij, fiku telefonin. Me kalimin e orëve, u zbulua se Klered Bozhanaj kishte pak kohë që qe kthyer nga Italia dhe e kishte parkuar makinën e tij me targa italiane në një parking para ngjajres. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga Bozhanaj, pasi mbante armë me vete dhe shfaq shenja depresioni. Përgjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit bëri kontrolle në 4 qytete për kapjen e autorit të plagosjes së Edlir Alleshit. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, u konfirmua kapja e tij. Në ditët e ardhshme, pritet dhe vepra penale që do të ngre prokuroria për rastin në fjalë.
Megaoperacioni i Europolit dhe Policisë Spanjolle, shkatërrohet grupi kriminal
Europoli dhe Policia Kombëtare Spanjolle realizuan me sukses një megaoperacion kundër një grupi të fuqishëm kriminal që drejtohej nga 2 shqiptarë në trafikun e marijuanës dhe pastrimin e parave në Spanjë. Nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare, Agjencia për Zbatimin e Ligjit dhe Bashkëpunimit të Bashkimit Europian (Europol) bëri me dije se arrestoi bashkë me policinë iberike 27 persona në Madrid, Barcelonë, Alikante, Malaga, Sevilje dhe Valencia. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan orë dhe bizhuteri luksoze me vlerë më shumë se 400 mijë euro, automjete të modelit të fundit, telefona të kodua dhe 615 mijë euro “cash”. Sipas llogarive, ata kishin mund të pastronin në mënyrë të paligjshme mbi 65 milionë euro të ardhura nga trafiku i marijuanës. Bashkë me shqiptarët bashkëpunonin dhe disa shtetas kinezë. Operacioni u përshëndet dhe nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
65 milionë euro xhiro për pastrim parash, kinezët krijonin biznese të ligjshme
Hetuesit vlerësojnë se rrjeti kriminal ka pastruar mbi 65 milionë euro nga aktivitetet e trafikut të drogës në më pak se një vit, vetëm midis majit 2020 dhe marsit 2021. Shtetasit kinezë luajtën një rol të madh në këto aktivitete kriminale duke pastruar sasi të mëdha të aseteve kriminale nëpërmjet bizneseve legale. Këto shuma të mëdha parash do të kalonin fillimisht nëpër këto struktura ligjore dhe më pas do të kompensoheshin diku tjetër. Në fund, asetet kriminale do të arrinin në vendin e origjinës dhe më pas do të investoheshin atje. “Hawaladarët”, me origjinë shqiptare, vepronin si subjekt i jashtëligjshëm bankar, kryenin transfertat dhe fshihnin shuma të mëdha parash nga shitja e drogës. Kjo shërbeu për financimin e operacioneve të reja kriminale. Dy shtetas shqiptarë kryesonin rrjetin kriminal, njëri ishte drejtues, ndërsa tjetri rolin e togerit dhe kontabilistit. Dy shtetas kinezë punuan për ta si koordinatorë duke menaxhuar një portofol të madh të institucioneve të shumta aziatike të përhapura në të gjithë Spanjën, të cilat shërbenin skema të pastrimit të parave për përfitime nga trafiku i drogës.