Sa i takon sezonit turistik, Policia e Shtetit bën me dije se ka marrë një paketë të posaçme masash. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, deklaroi se do të ketë një koordinim me të gjithë forcat e rendit nëpër qarqe, ndërsa pjesë e angazhimit do të jenë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me synim përballimin me sukses të sezonit turistik veror 2013 dhe krijimin e një mjedisi të sigurte për pushuesit, ka hartuar një plan masash me detyra konkrete për të gjithë strukturat e policive vendore, që do të angazhohen me shërbime përgjatë kësaj periudhe.
Në zbatim të këtij plani masash, nga të gjitha strukturat drejtuese të policive vendore, janë planifikuar, organizuar dhe zbatuar masa për strukturat në varësi, ku nëpërmjet tyre synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në vendet turistike, bregdetare e malore, rritja e sigurisë rrugore, lehtësim i lëvizjeve në kufi, dhënia e ndihmës së shpejtë, si dhe ofrimi i një shërbimi policor në përputhje me kërkesat e Kodit të Etikës.
Në funksion të rritjes së standarteve të sigurisë në të gjitha zonat turistike, bregdetare dhe malore, në akset rrugore kryesore të vendit, përgjatë sezonit turistik veror, sipas nevojave të strukturave të policisë vendore, do të angazhohen me shërbime dhe forca policore nga komisariatet e policisë të ndërhyrjes së shpejtë", deklaroi Tefik Sulejmani.