Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë një nismë për evidentimin dhe konstatimin e shoferëve që drejtojnë makina luksoze dhe jo vetëm, të cilët kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë, kryesisht duke lëvizur me shpejtësi tej normave.
Nisur nga shqetësimet e qytetarëve, efektivët e Policisë Rrugore të kryeqytetit kanë evidentuar drejtues mjetesh që nuk rregullojnë shpejtësinë në rrugë, apo që kryejnë parakalime në krahun e djathtë, duke rrezikuar veten dhe shoferët e tjerë.
Siç shihet dhe nga këto pamje që ndan Policia e Shtetit, gjobat për ata drejtues që lëvizin me shpejtësi, kryejnë manovra të rrezikshme apo dhe kanë xhama të errësuar pa leje, janë tepër të majme duke shkuar deri në 500 mijë lekë të vjetra.
“Së fundmi Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka realizuar disa video që evidentojnë shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve, në të cilat përfshihen: shpejtësi mbi limitet e lejuara, xhama të riveshur ose të errësuar mbi % e lejuar dhe kontrolle nga Task Forca për skanimin e targave të mjeteve që nuk kanë paguar taksat, kolaudimin, apo siguracionet”, thuhet në njoftim.