Gazeta “SOT”, bëri një tjetër vëzhgim tjetër ditën e djeshme në katër zona të Tiranës, në lidhje me ndërtimet pa leje, konkretisht në zonën e Tregut elektrik, në zonën Kinostudio-Porcelan, në Komuna e Parisit dhe në Laprakë. Kudo vazhdonin ndërtime pa leje të çdo kategorie, që nga ndërtime pallatesh me 7,8 e 9 kate, që nga vilat 3 e 4 kate, që nga shtesat anësore e shtesa katesh në pallate, ndërtim ballkonesh, zgjerim lokalesh me zaptim territori, ndotim verandash me kangjella e murre rrethues, ndërtim parkingjesh mes lagjeve të banimit, vendosje kioskash e deri ndërtim shkallësh anësore hyrëse në katet e dyta e të treta të pallateve. Ndërkohë, përveç ndërtimeve që kishin nisur prej disa muajsh e ishin në përfundim, në këto zona që vëzhguan, kishin nisur dhe ndërtime të reja nga themeli, në 2-3 ditët e fundit. Bizneset dhe qytetarët që ndërtojnë pa leje, na deklaruan se nuk kanë asnjë shqetësim, mbasi i kanë rregulluar punët me Florenc Hoxhën, kundrejt “gjobës” që bien dakord, ose që ata kërkojnë.
Banda policore e Florenc Hoxhës, pazare me “viktimat” për lejim ndërtimesh
Prej afro 1 muaji, gazeta jonë po denoncon këtë masakër urbanistike në kryeqytet e cila nuk vjen nga mungesa e ligjit, por nga moszbatimi i ligjit prej bashkisë Tiranë e cila lejon policinë ndërtimore, të komanduar nga “Ramboja” Florenc Hoxha, që të mos ndërhyjë për të prishur këto ndërtime, në shkëmbim të paramenduar të ryshfeteve e gjobave të vendosura me presion ndaj qytetarëve e bizneseve, që bëjnë këto ndërhyrje ndërtimore të paligjshme. Në katër zonat e vëzhguara dje, shikonim që në zonat, blloqet, lagjet ku bëheshin ndërtime pa leje, gjendej me prezencën e saj dhe policia bashkiake e ajo ndërtimore e bashkisë Tiranë. Makina të policisë ndërtimore e asaj bashkiake, të mbushura me shefa e inspektorë “qarkullonin” pranë dhe rrotull këtyre ndërtimeve pa leje. Ata ndalonin, nxirrnin blloqet e gjobave, bënin sikur flisnin në telefon me zë të lartë, gjoja sikur i raportonin dhe merrnin leje për prishje Florenc Hoxhës e Lulzim Bashës. Pastaj bënin sikur thërrisnin fadromat e shkatërrimit. Kaq mjaftonte, që mes tyre dhe banorëve të gjendur në panik, të nisnin bisedat mirëkuptuese, që në gjuhën e Florenc Hoxhës, kuptohen si “pazar”. Pas bisedave të mbushura me presionet e inspektorëve të Florenc Hoxhës dhe “viktimave” të zënë duke bërë ndërtime në kundërshtim me ligjin urbanistik, gjithçka mbyllej në “paqe”. Banda policore ndërtimore e Florenc Hoxhës largohej me xhepat plotë, ndërsa qytetarët vazhdonin punimet. Ne disponojmë dëshmi, të dhëna nga qytetarët në të katër zonat e vëzhguara dje, sidomos në zonën e Tregut Elektrik, në Laprakë dhe Porcelan, të cilat do t’i publikojmë, si një denoncim për krimin e qëllimshëm urbanistik shkatërrimtar të kryeqytetit me synim aferat financiare, të inskenuara nga Lulzim Basha e Florenc Hoxha, duke lejuar ndërtimet pa leje në qendër e në periferi të Tiranës.
Lejimi i ndërtimeve, biznes privat i dyshes Lulzim Basha-Florenc Hoxha
Edhe pse qytetarët kanë vërshuar me ankesa për ndërtimet pa leje që po bëhen nëpër lagjet e Tiranës në prezencë të policisë ndërtimore e asaj bashkiake, por edhe në prezencë të institucioneve qendrore kundërvepruese të shtetit, kryebashkiaku Lulzim Basha nuk po ndërhyn për të ndalur këtë masakër të shfrenuar urbanistike e ndërtimore, që po shkatërron dhe shëmton kryeqytetin. Kjo heshtje e ka emrin “pazar” i kryebashkiakut Lulzim Basha me “Rambon” e tij të policisë ndërtimore Florenc Hoxha dhe ky i fundit, bën pazare me ndërtuesit e paligjshëm, duke u zhvatur gjoba me tarifa tashmë të njohura prej ndërtuesve të paligjshëm, sipas llojit dhe kategorisë e projektit së ndërtimit të paligjshëm. Kush paguan në xhepin e Florenc Hoxhës, që në fakt është dhe xhepi i Lulzim Bashës, vazhdon ndërtimin. Kush nuk paguan, i rrafshohet ndërtimi. Por ka edhe nga ata, që detyrohen të paguajnë “gjoba” aq herë sa herë shkon për “kontroll”, gjobaxhiu Florenc Hoxha. Bashkiak e Tiranës, ka hequr dorë përfundimisht nga problemet që shqetësojnë banorët dhe kryeqytetin. Në Tiranë është rikthyer dhe po mbizotëron kaosi në çdo drejtim, në qendër e në çdo cep të kryeqytetit. Shkak është fakti, që kryebashkiaku ka braktisur zyrën dhe po “punon” për t’u bërë kryetar i PD. Tirana nuk do të ketë më qeverisje reale bashkiake. Këtë qeverisje ka afro 1 vit që nuk e ka as administrativisht, mbasi Lulzim Basha e ka braktisur bashkinë e Tiranës dhe problemet e kryeqytetit, duke u marrë me politikë.
Ja 25 pyetjet drejtuar Lulzim Bashës, për “aktivitetin” e Florenc Hoxhës si gjobaxhi
1. Kush dhe për çfarë motivesh ju urdhëroi, apo ju rekomandoi që të bëni Florenc Hoxhën, pjesë drejtuese të sektorëve kryesorë të bashkisë në poste “ku bëhen lekë”?
2. A i keni dhënë Florenc Hoxhës, të drejtën për të përdorur emrin tuaj, kur niset në “operacionet” e abuzimeve që bën, apo në aktivitetin ditor si drejtues i policisë ndërtimore?
3. A dini ju zoti se cili person fshihet pas nofkës “berberi” që përdoret prej Florenc Hoxhës si sekser, për të bërë presione për vendosje e mbledhje gjobash private, ndaj qytetarëve e bizneseve që ndërtojnë?
4. Prej kohësh, Florenc Hoxha po e prezanton sekserin e tij me nofkën “Berberi”, si tepelenas, që është djalë teze me gruan dhe kuantin tuaj, a keni dijeni për këtë fakt dhe a është e vërtetë që e keni pjesë familjare të bashkëshortes?
5. A është e vërtetë, ajo që thotë “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, se kudo që shkel, dërgohet prej jush për të vendosur gjoba pirate ndaj lokaleve e tregtarëve, që përdorin trotuaret si kafene e qofteri?
6. Kryepolici ndërtimor Florenc Hoxha, kudo ku shkon për gjoba, deklaron se gjithë shumat që zhvat, i arkëton tek xhepi yt?
7. A keni dijeni, që “zamboja” huaj Florenc Hoxha, në shumë raste kur vendos gjoba ndaj bizneseve, përdor emrin e kunatit tuaj Erjon Isufi, pronarit faktik të “Pedonales”?
8. Zoti Basha, a keni dijeni, që emri juaj përdoret prej Florenc Hoxhës, për presione ndaj lokaleve të natës dhe diskotekave, të cilëve u zhvat pagesa antiligjore, duke i lejuar të shkelin ligjin për zhurmat?
9. A keni dijeni, se sa lekë i zhvat Florenc Hoxha në muaj, psh, Diskotekës “Folia” në shkëmbim të lejes për të zhvilluar aktivitet zhurmues gjithë natën, si disko “në natyrë” dhe a ju sjell edhe juve “pjesën”?
10. A keni dijeni sa i ka “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, “tarifat” e gjobës në qendër e në periferi, për ndërtim pa leje për pallat, vilë, banesë 1 katshe, shtesë kati, shtesë anësore, ballkon, papafingo, hapje dritareje e uzurpim territori?
11. A keni dijeni, që “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, ka ngritur një “staf” privat” në policinë ndërtimore të cilin e përdor për të piketuar ndërtimet pa leje dhe harton lista me emra viktimash dhe shumën e ryshfetit që do japin, duke u thënë se “janë për shef Lulin”?
12. A keni dijeni për faktin, që “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, i ka vënë në dispozicion kunatit tuaj Erjon Isufi, 4 policë ndërtimorë dhe k
atër zona në Tiranë, me fluks ndërtimesh pa leje, të cilat i përdor kunati juaj për gjoba private, i shoqëruar nga Florenc Hoxha?
13. A keni dijeni, se sa persona ka punësuar “zamboja” juaj Florenc Hoxha në gjithë ndërmarrjet e bashkisë Tiranë dhe në policinë bashkiake, duke përdorur kunatin tuaj dhe sa është tarifa e një punësimi dhe a ju jepet “pjesa” juve, siç deklarojnë “Ramboja” dhe kunati?
14. A jeni ju zoti Basha, ai që siç shprehet “Ramboja” dhe kuanti, “keni vendosur tarifat” që duhet të paguaj çdo person që dëshiron të punësohet në bashki, në policinë bashkiake e atë ndërtimore dhe a i zbatojnë këto tarifa, “Ramboja” Florenc Hoxha dhe kunati yt, apo i rrisin pa dijeninë tuaj?
15. A keni dijeni, që “zamboja” juaj punon me dy blloqe gjobash, një për ndëshkim real e një për presion ndaj firmave të ndërtimit dhe qytetarëve që ndërtojnë, ose bëjnë shtesa?
16. A keni dijeni, që “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, siç thuhet në kompanitë celulare, zhvat pagesa mujore prej këtyre kompanive për antenat celulare që vendosen me ndërhyrje ndërtimore, jashtë kritereve urbanistike?
17. Cila është porosia juaj ndaj “Rambos” Florenc Hoxha, në lidhje ndërtimin dhe aktivitetin e lavazhove në qendër, në lagjet dhe periferitë e Tiranës dhe a është e vërtetë, ajo që thonë pronarët e tyre, se paguajnë “gjobë” tek “Ramboja” për llogari të familjarëve tuaj?
18. A keni dijeni, që “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, paraqet në zyrat e ALUIZNI-t, lista private ndërtimesh të reja pa leje për regjistrim dhe lista me ndryshime në sipërfaqe e projekte objektesh, duke folur në emrin tuaj?
19. A keni dijeni, që “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, lejon ndërtuesit e pallateve të reja për të ndryshuar sipërfaqet dhe projektet e ndërtimeve, duke u bërë letra fiktive?
20. A ju ka kërkuar “Ramboja” juaj Florenc Hoxha 1 muaj më parë, që të miratoni 70 leje ndërtimi provizore për kafene e biznese të tjera, në sipërfaqe trualli pronë e bashkisë në Njësitë nr.5, nr. 9. nr. 8, nr. 11 e nr. 6 dhe a e keni plotësuar këtë kërkesë?
21. Në hyrje të “Piramidës”, po ndërtohet një qofteri që më pas do bëhet diskotekë, ai e keni urdhëruar “Rambon” Florenc Hoxha, që të mos ndërhyjë mbi këtë ndërtim pa leje?
22. A i keni dhënë urdhër “Rambos” Florenc Hoxha, që të mos ndërhyjë në 130 ndërtime që po bëhen në Tiranë, prej njerëzve të kupolës së qeverisë “Berisha” e të PD?
23. A keni dijeni, që edhe “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, ka nisur të ndërtojë 5 objekte biznesi e 2 objekte banim pa leje në periferi të Tiranës, të cilat i prezanton në publik, sikur janë ndërtime që i bëni ju dhe familjarët e tu dhe a janë vërtetë ndërtimet tuaja?
24. Sa gjoba zyrtare të vendosura ndaj ndërtuesve subjekte biznesi e qytetarë në muajt janar-maj 2013 e banorë të Tiranës, janë anuluar prej jush me kërkesë të “Rambos” tuaj Florenc Hoxha dhe siç deklaron ai, a kanë paguar të ish-gjobiturit 20% të vlerës së gjobave nën dorë dhe a kanë ardhur tek ty këta 20 përqindësh?
25. A keni dijeni, që shefi i policisë ndërtimore të bashksië “Ramboja” juaj Florenc Hoxha, shërben edhe si truproje e vjehrrit tuaj Xhafer Isufi, duke e shoqëruar kudo ku shkon me hapje e dyersh makinash, lokalesh, kafenesh e hotelesh?
Ja kush është “Ramboja” Florenc Hoxha
1. Protagonist i rrahjes të protestuesve më 21 janar 2011, duke zbatuar urdhrat e Lulzim Bashës, ish-Ministër i Brendshëm.
2. Protagonist i rrahjes së grave nëpunëse të Bashkisë së Tiranës dhe nxjerrja e tyre me dhunë nga zyrat e bashkisë.
3. Dhunues fizik i romëve për të kaluar biznesin e kanoçeve e të koshave të plehrave, në favor të kunatit të Lulzim Bashës.
4. Protagonist aktiv dhe i dhunshëm në manipulimet e zgjedhjeve vendore të 8 Majit 2011
5. Dhunues aktiv dhe i shfrenuar i gazetarëve në aktivitetet publike.
6. Dhunues i deputetëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, duke i nxjerr forcërisht nga qendrat e votimit dhe duke i ndaluar dhunshëm, të mos vëzhgonin zgjedhjet
7. Protagonist i dhunimit të bizneseve në Tiranë, gjobë-vënës ndaj tyre dhe presion për të mbështetur me vota Lulzim Bashën dhe PD në 8 maj 2011 dhe në fushatën e 23 qershorit 2013.
8. Shkatërruesi krejt zonave urbane e mjediseve të kryeqytetit, me nxitje dhe lejim të ndërtimeve pa leje prej familjarëve e bizneseve.
9. Organizatori i spastrimit me dhunë fizike, të administratës së Bashkisë Tiranë me urdhër të Lulzim Bashës.
10. Përdor inspektorët e policisë ndërtimore dhe policët bashkiakë për të vendosur gjoba ndaj ndërtuesve pa leje dhe për të mbrojtur bizneset e familjes “Basha” dhe të krerëve të lartë të PD.
11. Ka krijuar rrjetin e sekserëve për të bërë presion dhe për të vendosur gjoba për ndërtimet pa leje, duke përdorur sekserin e tij të njohur me nofkën “Berberi”
12. Organizator i zhvatjes së votave të 23 qershorit 2013, duke përdorur si joshje dhe presion psikologjik lejimin ose prishjen e ndërtimeve pa leje
13. Stimulues i zhurmave në Tiranë dhe përfituesi i drejtpërdrejtë nga aktivitetet e kësaj fushe, duke lejuar shkeljen e ligjit mbi qetësinë publike dhe ndotjet akustike.
14. Shkatërruesi i parkingjeve të Tiranës dhe organizator i biznesit të ndalimit të makinave, për interesat e bandës bashkiake e qeveritare të karrotrecëve.
15. Bodigard i Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës, të cilin e shoqëron në kafene, lokale biznese e shtëpi dhe i shërben duke i hapur dyert e makinës. Nga: Përparim Halili