Raporti i OBSH-së për sjelljet e adoleshentëve solli për Shqipërinë shifra shqetësuese jo vetëm në drejtim të duhan pirjes por edhe në atë të përdorimit të alkoolit.
Genta Qirjako përgjegjëse e promocionit shëndetësor në ISHP thotë se studimi mori në shqyrtim dy elementë analizues.
“Është vlerësuar në 2 aspekte, siç është prevalenca e përdorimit të tij gjatë gjithë jetës dhe ajo e dehjes”.
Sipas këtij raporti, vihet re se 14% e djemve dhe 8% e vajzave 15 vjeçare janë dehur në muajt e fundit ndërsa fenomeni është i pranishëm edhe tek fëmijët më të vegjël, 11-13 vjeç.
Në 10 vitet e fundit statistikat tregojnë rritje e përdorimit të alkoolit edhe tek vajzat e vogla. Ajo që raporti evidenton është se përdorimi gjatë gjithë jetës i alkoolit është më shumë i evidentuar tek djemtë që vijnë nga familje me influencë të lartë në pothuajse gjysmën e vendeve europiane.
E ndërsa ligji e ndalon shitjen e pijeve me përqindje alkooli moshave nën 18 vjeç duket se mënyrat për t’i shtënë në dorë këto produkte janë lehtësisht të kollajshme.