Reshjet e shiut që kanë vijuar pa ndërprerje për dy ditë rresht, kanë sjellë problematika në aksin rrugor Berat-Poliçan dhe Poliçan -Skrapar. Rrëshqitjet e gurëve dhe të dherave nga shpatet e malit përgjatë këtij aksi, kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve drejt Poliçanit dhe Skraparit. Më problematike situata paraqitet në fshatin Vodicë dhe në Bogovë, ku që prej mëngjesit ka rrëshqitje të vazhdueshme gurësh dhe dherash.
Rënia e gurëve në krahun e faqes kodrinore ka bërë që prej mëngjesit të sotëm, rruga drejt Poliçanit dhe Skraparit të qarkullohet vetëm në njërin sens.
Për normalizimin e situatës në këtë aks dhe informimin e drejtuesve të mjeteve për problematikat në rrugë, DVP Berat ka shtruar drejt këtij aksi forcat e qarkullimit rrugor, të cilët janë pozicionuar në 3 pika kyçe të rrugës.
Përpos efektivëve të policisë së DVP Berat, në akset problematike kanë dalë edhe shërbimet e pastrimit të bashkisë Poliçan, të cilët po kryejnë edhe heqjen e gurëve.