Subjektet private që kanë aktivitet në Shqipëri por edhe individët kanë rritur interesin gjatë vitit 2023 për të pasur një faqe interneti që ka si pjesë të tij domainin “.al”. Një domain është një adresë unike që përdoret për të hyrë në një faqe interneti dhe specifikisht për Shqipërinë “.al” është forma e identifikimit ku të drejtat sipas ligj i ka AKEP (të transferuara tek kompanitë private sa i takon regjistrit). Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i domaineve me “.al” të regjistruara gjatë vitit 2023, ishte 5960.
“Numri total i domaineve me “.al” deri në fund të vitit 2023, arriti në 28278 domaine. Në terma statistikorë vihet re se gjatë vitit 2023 ka pasur një rritje të numrit total të domaineve të regjistruara, me 1003 domaine më shumë së në vitin 2022”thuhet në raportin e AKEP. Duket se rritje ka pasur edhe për faqet e internetit të institucioneve publike të cilat kanë marrë gjithashtu domainin specifik .gov.al.
“Gjatë vitit 2023, janë regjistruar 20 domaine “.gov.al”. Në fund të vitit 2023, numri total i domaineve “.gov.al” ishte 439. Gjatë vitit 2023, 12 domaine “.gov.al” janë kaluar në gjendje të lirë nga sistemi i administrimit të domaineve “.al”, pasi institucionet përkatëse i kanë ndryshuar me emra të tjerë domainesh. AKEP ka bashkëpunuar me institucionet shtetërore që disponojnë domaine me “.gov.al”, mbi rinovimet e tyre, në mënyrë që të shmangej mbyllja e shërbimeve që ofrojnë me këta domaine, si faqe interneti, e-maile, etj” thuhet në raport.
Në total në treg janë të paktën tetë kompani private që kanë të drejtë për të regjistruar domaine. Sipas shifrave regjistruesi Host.AL shpk (i autorizuar nga AKEP) vijon të kryesojë listën e Regjistruesve të domaineve “.al”, me numrin total më të madh të domaineve të regjistruara nëpërmjet tij me 2145 domaine në 2023 teksa i dyti është Webhost me 1879 ndjekur nga InovaTech me 863./Monitor