Temë e diskutimit në emisionin “Review” ishte rritja e çmimeve të referencës për banesat që do të shoqërohet me një rritje të çmimeve në tregun imobiliar.
E ftuar në studio agjentja imobiliare, Juliana Nela, tha se një rritje e tillë e pa studiuar mirë godet të gjithë aktorët në treg dhe vetë ekonominë pasi bien shitjet.
Nela theksoi se humbet ndërtuesi, i cili do të ketë mungesë të klientëve, humbasin bankat të cilat nuk do të japin kredi, si dhe humbet dhe vetë konsumatori i cili do të paguaj më shumë.
“Humbet ndërtuesi pasi vërtet ngre çmimin pasi me ligjin e kërkesës dhe ofertës, redukton shitjet. Humbet banka, e cila nuk financon dot klientin e kredisë, që është ajo shtresa e mesme. Humbasim ne si ndërmjetës pasi reduktohen shitjet. Humbasin konsumatori pasi paguan një çmim më të lartë. Pra një rritje e pa studiuar i godet të gjithë aktorët në treg. Dhe çështë më e keqja, ekonomia është e ndërtuar mbi besim që e nesërmja do të jetë më e mrë dhe këto oshilacione e frenojnë. Psikologjia e gjithë sistemit fillon dhe tkurret dhe kjo ul GDP-në dhe gjithë të tjerat”, tha Nela.