Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 27-vjeçare është vetëvrarë, duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i kanë publikuar fotot intime në rrjetet sociale. Dy ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë ngjarja merr një tjetër kthesë. Sipas policisë, e reja i ka dhënë fund jetës për shkak të fotos që i është publikuar në rrjetet sociale. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë dje një personazh i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton intime vajzës në rrjetet sociale. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: – A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, zbuloi dje policia.
Çfarë thoshte Altin Çoku për foton intime të të resë që i dha fund jetës?
Sakaq, Altin Çoku, 39-vjeçari, i cili u arrestua dje se akuzohet se ka shtyrë një të re drejt vetëvrasjes, pasi i ka publikuar foto intime së bashku, ka rrëfyer pak pasi ka ndodhur ngjarja sesi janë shpërndarë imazhet. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, personazhi i Tik Tok-ut, Altin Çoku ka treguar për një të afërm si ia ka dërguar foton 27-vjeçarja dhe thotë se foton e ka shpërndarë një njeri me të cilin po pinte kafe me të.
Altin Çoku: Cuca huj është nda më burrë dhe ka tentu 2 herë me mbyt veten.
Biseduesi: Kur ka ndodh kjo?
Altin Çoku: Që tani… a e ke pa foton që qarkullon në Tik Tok, duke dal duke pirë kafe me shokun tim në lokal, unë telefonin e mbaj pa kod. Ajo goca me ka çuar foton mua duke më thënë mua shih ca fotoje kemi bërë në hotel dhe ky e ka marrë telefonin shpejt dhe ka shpërndarë foton dhe kanë hapur adresa Tik-Toku…
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë në media dje u tha se e reja kishte konflikte me bashkëshortin shqiptar të Kosovës, me të cilin ka edhe një vajzë 2 vjeçe dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun. Gjatë kohës së njohjes mes tyre ai i ka bërë foto intime gruas dhe më pas ia ka publikuar në Tik-Tok. Ajo i kërkonte të hiqte foton, por ky herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen. Rasti bëhet edhe më i rëndë, kur sikundër e theksuam më sipër, Altin Çoku dilte më zë e figurë duke realizuar video live në TikTok, në të cilat fliste për foton e publikuar të vajzës në rrjetet sociale. Në këtë video ai pretendon se foton e ka publikuar një shok i tij dhe jo ai vetë. Burime bëjnë me dije se 39-vjeçari ka publikuar foto te ngjashme intime edhe kohë më parë dhe po hetohet edhe për një rast tjetër në Laç, ku ka shantazhuar një vajzë tjetër. Familjarët e së resë thonë se nuk kishin parë shqetësime të vajza dhe nuk e dinin që kishte pasur lidhje intime me Çokun. Tezja shkon edhe më tej duke pretenduar se 27-vjeçarja nuk është vetëvrarë, por se dikush e ka shtyrë dhe gishtin e drejton tek 39-vjeçari dhe shokët e tij. Ajo thotë se e reja ka punuar si sanitare për tre ditë tek shtëpia e Çokut. Nga ana tjetër, daja i 27-vjeçares kërkon nga drejtësia që Çoku të dënohet me burg përjetë ose në të kundërt do bëjë vetëgjyqësi. “Jo jo. S’kemi pas dijeni askush nga familjarët. Unë habitem se si e ka bërë këtë makabër, si i ka bërë këto gjeste ai person. Nuk e di ca shpirti, ca njeriu paska qenë. Jam shumë i tronditur. Nuk di të shprehem. Nga drejtësia, si prokuroria, gjykata dhe ministri Balla, unë si dajë i kërkoj të mos dalë nga burgu. Unë dua dënimin më të rreptë. Nuk ekziston varja, unë kërkoj burg të përjetshëm. Sepse siç ma mori jetën e mbesës do ja marr unë jetën. Atë e di shpirti jonë si e kemi rrit. I kërkoj Taulant Ballës që mos ta nxjerrin”, deklaroi ai dje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 10 shkurt, në rrugën “Teuta” në Kamëz. 27-vjeçarja nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra dhe ka humbur jetën në spital. Personazhi i TikTok-ut është arrestuar për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa ende po vijohet me hetimet. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, si edhe telefonin e së resë që kishte mbetur në tarracë, pasi ajo ndërmori aktin e rëndë.
Reagon Balla: Sa më shpejt miratimi i ndryshimeve ligjore për dhunën online
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka ndarë dje video nga momenti i arrestimit të 39-vjeçarit, i cili dyshohet se ka publikuar foton intime të 27-vjeçares që u vetëvra në Tiranë. Balla ka kërkuar nga Policia e Shtetit të rrisë forcën zbuluese dhe parandaluese për dhunën ndaj grave dhe vajzave. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se duhet të miratohen sa më shpejt ndryshimet ligjore që adresojnë rreziqet e dhunës online. “Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetaseje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt”, shkruan Balla.