Pas kërkesës për bashkëpunim që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i bëri Ministrisë së Drejtësisë, për marrjen e kampionëve biologjikë të ADN-së për secilin të dënuar për përfiton nga amnistia penale e fundvitit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vihet në lëvizje me qëllim përfundimin e procesit. Përmes një shkrese, mësohet se kreu i dikasterit të Burgjeve, Admir Abrija iu kërkon drejtuesve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale të marrin të gjitha masat përkatëse. “Mbështetur në shkesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me lëndë “kërkesë për bashkëpunim” autorizohen të gjitha institucionet IEVP të marrin masa për lejimin e personave autorizuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit së bashku me drejtoritë vendore për marrjen e mostrave të ADN-së, për të burgosurit që do të përfitojnë nga amnistia”, thuhet ne shkresën që mban firmën e Admir Abrisë. Nga ligji për amnistinë penale pritet të përfitojnë rreth 600 të dënuar dhe paraburgosur për krime të ndryshme, të cilët përpara se të lënë qelitë do t’iu duhet t’i nënshtrohen kësaj procedure. Profilet gjenetike ruhen na kartotekën e policisë dhe krahasohen me profilet e ADN-ve që zbulohen në vendngjarje te ndryshme kriminale.
Amnistia e fundvitit, ja kush përfiton
Ndërkohë, në prag të festave të fundvitit, ministria e Drejtësisë ka propozuar një amnisti për të burgosurit që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare, nga i cili do të amnistohen personat e dënuar me vendim të formës së prerë më burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor si dhe ata të dënuar që u ka mbetur pa vuajtur nga dënimi deri në 2 vjet. Gratë e dënuara në ose mbi moshën 55 vjeç përfitojnë gjithashtu. Përfitojnë të dënuarit meshkuj 60 vjeç ose ne këtë moshë, 18-vjeçarët që kanë kryer vepra të lehta penale si dhe të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike ose sëmundje të rënda të pashërueshme. Në draft përjashtohen ata që kanë kryer vepra të rënda penale, si vrasje, pengmarrje, vepra me qëllime terroriste, falsifikime, ata që kanë kryer vepra kundër moralit, familjes, fëmijëve, të dënuarit për krim të organizuar dhe banda kriminale. Nuk përfitojnë ata që kanë kryer krime seksuale, vepra penale kundër drejtësisë, kundër autoritetit të shtetit etj. Nuk do përfitojnë gjithashtu dhe ata që janë dënuar për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë si dhe ata që janë dënuar, por ekzekutimi i dënimit është pezulluar me kusht nga gjykata. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e të njëjtës vepër penale. Pushohen gjithashtu çështjet penale ende nën hetim ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë.