Tirana do të mirëpresë për herë të parë një Samit më datë 28 shkurt, dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus në Kiev. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë dhe mësohet se ka mbërritur në Tiranë mbrëmjen e djeshme. Lideri ukrainas do të jetë i pranishëm nesër, ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore. Në axhendën e tij, Presidenti i Ukrainës pritet të ketë disa takime bilaterale, mes të cilave me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Po ashtu, janë zbardhur detaje nga axhenda e vizitës së tij. Mësohet se Zelensky në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm do të pritet në kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama, ku do të ketë një takim “kokë më kokë” mes tyre. Në orën 11:00 do të bëhet pritja e delegacioneve në Pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet sesioni me dyer të mbyllura. Të pranishëm në “Pallatin e Kongreseve” do të jenë të pranishëm liderët e rajonit, Komisioneri i BE për Zgjerim Oliver Varhely si dhe përfaqësues të Europës juglindore. Ndërkohë që në orën 13:30 do të jetë konferenca e përbashkët për mediat ku të pranishëm do të jenë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky si dhe Komisioneri i BE për Zgjerim Oliver Varhelyi. Pjesë e këtij samiti, i cili do të mbahet në pallatin e Kongreseve, përmes një video mesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt. Punimet priten të zhvillohet në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë e përbashkët për shtyp. Më datë 29 shkurt, do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit. Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
Reagon Rama
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka zbuluar detajet e organizimit të Samitit të Paqes që do të sjellë për herë të parë në Shqipëri presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në një intervistë për mediat, Rama deklaroi se ky samit ka për qëllim t’i tregojë botës se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor qëndrojnë krah Ukrainës, në këtë luftë që ka domethënie edhe për rajonin. “Ndihem i përulur dhe i nderuar që bisedova me presidentin Zelensky, dhe që dëgjova prej tij gjëra shumë të vlefshme për Ballkanin Perëndimor dhe rajonin tonë, përfshi disa anëtarë të NATO-s përreth Ballkanit Perëndimor. Ideja për të organizuar samitin na lindi në bashkëbisedim. Në fakt, ftesat i kemi dërguar së bashku dhe samitin po e organizojmë të dyja palët. Në këtë pjesë të botës demokratike, nuk ka probleme me mbështetjen për Ukrainën, për integritetin e territorit të saj. Gjithashtu, nuk ka probleme me të kuptuarit se Ukraina nuk po lufton vetëm betejën e saj, por ajo është domethënëse edhe përtej Ukrainës. Ne bëjmë atë që mundemi. Nuk po mblidhemi në Tiranë për të ndryshuar rrjedhën e gjërave për të gjithë komunitetin demokratik. Në anën tjetër, nuk do të nënvlerësoj kontributin dhe ndikimin, ndaj po bëjmë detyrën tonë dhe sërish mendoj se është nder i madh për Shqipërinë që mirëpret këtë samit”, deklaroi Rama.
Liderët e Ballkanit Perëndimor vijnë në Tiranë më 29 shkurt
Ndërkohë më 29 shkurt, kryeqyteti do të presë liderët e Ballkanit Perëndimorë, në një samit me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike. Në këtë samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. Gazeta “SOT” ka siguruar axhendën.
AXHENDA E PLOTË
29 shkurt
Ora 9.30-9.45- Mirëseardhja nga Kryeministri Rama.
Vendi: Pallati i Kongreseve.
9.45-10.0- Fjala e hapjes Kryeministri Rama dhe Komisioneri Várhelyi.
10.00-10.45- Paneli I: Hyrja në Tregun e Përbashkët.
10.50- Foto Familjare.
10.45-11.00- Pushim për kafe.
11.00-11.45- Paneli II: Plani i rritjes.
Ora 11.45-11.50- Konkluzione të dhëna nga Kryeministri Rama.
12.00-12.30- Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastiriliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Olivér Várhelyi.
Vendi: Kati i nëndheshëm i Pallatit të Kongreseve
Ora 12.30-13.15- Konferencë për shtyp e kryeministrit Rama dhe komisionerit Várhelyi.
Bllokimi i rrugëve
Sakaq, për të garantuar sigurinë policia ka marrë masa për bllokimin e disa rrugëve kryesore. Bllokimi i rrugëve ka nisur që dje, pasi pritet e ardhja e për herë të parë e presidentit të Ukrainës Volodimir Zelensky. Sipas policisë, do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor, për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre. Ndërsa nga data 28 shkurt duke nisur që nga ora 07:00 e deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në Samit, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit. Ndërkohë në datën 28 shkurt, do ketë ndalim qarkullimi për makinat, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perendimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”. Kurse më datë 29.02.2024, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;