2 llogari bankare dhe 7 prona të ndryshme në pronësi të 4 vëllezërve dhe nipit të tyre janë sekuestruar me kërkesë të SPAK, në Tiranë e Kurbin. Bëhet fjalë për pasuri në emër të vëllezërve Zamir Hoxha, Vladimir Hoxha, Dilaver (Oliver) Hoxha, Mentor Hoxha dhe nipit të tyre Alfonc Hoxha, si dhe personave të lidhur me ta, të cilat dyshohet se burojnë nga veprimtaria kriminale. “Subjekti i këtij procedimi pasuror Zamir Hoxha, është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me procedimin penal nr. 49, të vitit 2023, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334, të Kodit Penal, si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i destinuar në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Danimarkë, Belgjikë, Holandë, Suedi, Norvegji dhe Gjermani, gjatë periudhës kohore të viteve 2018-2019, ku pjesa më e madhë e anëtarëve të këtij grupi të strukturuar kriminal të kryesuar nga shtetasi shqiptar Jetmir Kastrati (Sokol Krasniqi), janë deklaruar fajtorë dhe janë dënuar nga autoritetet gjyqësore në Danimarkë” informoi dje (15 prill 2024) SPAK.
Pasuritë e sekuestruara
1 -Pesë llogari bankare me gjendje në total rreth 94 000 (nëntëdhjetë e katër mijë) Euro;
2 – Pesë llogari bankare me gjendje në total rreth 145 000 (njëqind e dyzetë e pesë mijë) Lekë;
3 – Pasuria e paluajtshme e llojit “truall” dhe “arë”, me sipërfaqe 600 m², prej së cilës 145.6 m² truall dhe 134.3 m² sipërfaqe ndërtese, ku ndërtesa është godinë banimi 3 katëshe ( kati përdhe 134.3 m², kati i parë 134.7 m², kati i dytë 134.7 m² dhe verandë 3.7 m²), me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të shtetasit K.H; 4-Pasuria e paluajtshme e llojit “truall” dhe “arë”, me sipërfaqe totale 600 m², prej së cilës 166.1 m² truall dhe 137.1 m² sipërfaqe ndërtese, ku ndërtesa është godinë banimi 2 katëshe (kati përdhe 137.1 m² dhe kati i parë 146.6 m²), me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të Mentor Hoxha 5- Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 800 m², me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të shtetases S.D. (H.) 6- Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 8 000 m², me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të shtetasit D.Ç.; 7- Pasuria e paluajtshme e llojit “njësi”, me sipërfaqe totale ndërtimi 325.8 m² (sipërfaqe social ekonomike 290.5 m² dhe sipërfaqe takuese 35.3 m²), me adresë Mëzez, Njësia Administrative Kashar, Tiranë, në pronësi të shtetasit Dilaver Hoxha, e legalizuar me leje legalizimi nr.137 507, datë 15.11.2018; 8- Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 9.936 m², me adresë Fushë Mamurras, Kurbin, në pronësi të shtetasit K.H. 9- Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 22.500 m², me adresë Fushë Mamurras, Kurbin, në pronësi të shtetasit G.B. SPAK informon se po vijojnë veprimet hetimore për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe paluajtshme, për të cilat është vendosur sekuestrimi me vendimet nr. 9, datë 16.02.2024, dhe nr. 11, datë 28.02.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe dorëzimin e tyre përfaqësuesve të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë.