Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata e këtij qyteti ka sekuestruar pasuritë e Klodian Ndogaj, i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Bëhet fjalë për një njësi tregtare, me sipërfaqe 112.3 m2, me vlerë në treg rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro dhe 420 m2 truall, në të cilën është ndërtuar një ndërtesë 139 m2. Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Klodian Ndogaj alias Klodian Jakini ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ishte dënuar me 13 vjet e 5 muaj burgim për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”. Ai u arrestua në mars 2023 në Shkodër. Prokuroria e Shkodrës regjistroi procedimin penal nr.1310/2020, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, “pas informacioneve të siguruara se ky shtetas, pasi ka fituar të ardhura të konsiderueshme si rrjedhojë e përfshirjes në veprimtari kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të narkotikëve kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, ka filluar procesin e pastrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet investimit në blerjen e pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe hapjen e veprimtarive të ndryshme tregtare, në emër të tij ose personave të lidhur me të”, informoi dje Prokuroria e Shkodrës.
Skema
Pasi i blinte pronat i shiste dhe tek personat e tretë me qëllim mbulimin e gjurmëve dhe fshehjen e origjinës kriminale. “Në këto kushte, pasi është kryer një hetim i thelluar në lidhje me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të këtij shtetasi në Republikën e Shqipërisë, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se blerja e tyre nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme të tij apo të familjarëve të tij. Gjithashtu, ka rezultuar se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë apo vendosur në emër të familjarëve dhe më pas janë shitur te persona të tretë, me qëllim mbulimin e gjurmëve dhe fshehjen e origjinës kriminale”, thuhet në njoftimin e sotëm të prokurorisë. Me vendimin nr. 279 (1862), datë 16.04.2024 Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër sekuestroi:
1. Pasuria me nr. 272/242 e llojit truall me sipërfaqe 420 m2, nga të cilat 139 m2 ndërtesë
2. Pasuria me nr.18/181, ZK 8597, e llojit njësi tregtare, me sipërfaqe 112.3 m2, me vlerë në treg rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro.
Arrestohet një italian në Durrës
Ndërkohë një rast i tentativës së trafikimit të armëve të zjarrit është goditur në pikën kufitare në Portin e Durrësit. Në pranga është vënë një shtetas italian, Giovanni Bedini, i cili po trafikonte një automatik drejt Italisë. Armën 66-vjeçari italian e kishte fshehur poshtë dyshekut në një rulot. “Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së”, njoftoi dje policia. Po ashtu është vënë në hetim edhe një 31-vjeçar, për mosdeklarim të parave, në hyrje. 31-vjeçari nuk kishte deklaruar 16 300 euro dhe 100 paund. “Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së, dhe një rast të mosdeklarimit të parave, në hyrje. Për këto raste, veprimet hetimore dhe procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. B., për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, si dhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje policia.