Shpërndahen 789 certifikata pronësie, Rama në Dhërmi: Brenda tetorit mbyllet procesi për qarkun e Vlorës
Kryeministri Edi Rama ishte dje në Dhërmi ku ndau 789 tituj të tjerë pronësie, në procesin e përmbylljes së hipotekimit të shtëpive të trashëguara. Kreu i qeverisë u shpreh se në total, bashkë me certifikatat e ndara sot janë 4 300 certifikata të shpërndara, teksa shtoi se deri më tani është mbyllur 1/3 e procesit, teksa brenda tetorit pritet të mbyllet i gjithë procesi. “Pjesa tjetër e punës, rreth 2 500 certifikata të tjera janë në Bashkinë e Himarës, 500-600 jashtë Bashkisë së Himarës, por në qarkun e Vlorës dhe të gjithë procesin do ta përmbyllin brenda tetorit”, tha Rama. Kreu i qeverisë tha se ky proces po ndiqet edhe në zonat e veriut, si Thethi, Hasi e Tropoja, por edhe në zonat më jugore, si Konsipoli, ku ka patur një problematikë ndryshe nga pjesa tjetër e vendit. “Jemi mbledhur këtu sot për të vazhduar një proces, që është procesi i përmbylljes së një përpjekjeje shumë të gjatë. Në radhë të parë të një përpjekjeje shumë të gjatë nga ana juaj dhe ju siguroj që ka qenë një përpjekje jo e shkurtër edhe nga ana jonë, pasi kjo zonë, së bashku me disa zona të tjera të Shqipërisë, të cilat shtrihen nga veriu, dhe deri poshtë tutje në Konispol, janë disa pika ku problematika ka qenë e ndryshme nga ajo e pjesëve të tjera të territorit”, tha Rama. Ai mohoi se ka patur politika diskriminuese për zonën. “Kjo për të thënë dhe atë që sa e pavërtetë, sa e ulët është e gjithë propaganda sipas të cilës ne kemi marrë, dhe që është bërë një politikë diskriminuese sepse ajo propagandë ka qëllime krejt të tjera nga interesat tona të përbashkëta dhe nga interesat e banorëve të vetë Himarës”, tha Rama. Kryeministri tregoi dhe problematikat. “E vërteta është që problemi i regjistrimit të shtëpive të trashëguara në këto pika, e përsërisë nga Thethi, Malësia e Madhe, Kukësi, Hasi, Tropoja, e pastaj edhe tutje poshtë në disa pika të tjera, është një problematikë që lidhet me faktin se ndryshe nga të gjitha zonat e tjera, e gjithë marrëdhënia e titujve të pronësisë ka qenë e komplikuar. Shumë e komplikuar”, tha Rama.