Besimtarët myslimanë, një muaj nga dita kur nisën agjërimin e tyre, po festojnë sot ditën e Fiter Bajramit.
Në të gjitha rrethet e Shqipërisë, besimtarët myslimanë festojnë festën më të rëndësishme në kalendarin Islamik. Pas faljes, besimtarët festojnë në familjet e tyre, por edhe në ambiente të përbashkëta sipas traditës.
MYFTIU I ELBASANIT: MBËSHTESIM LUFTËN KUNDËR TERRORIZMIT
Rreth 3 mijë besimtarë falën sot Fiter Bajramin në bulevardin “Aqif Pasha” në Elbasan. Myftiu i këtij qyteti Agim Duka përshëndeti besimtarët dhe uroi për më shumë paqe e begati në çdo familje shqiptare.
Myftiu Duka u shpreh para besimtarëve se duhet të jemi më të mirë, më të dobishëm dhe më kontribuues.
Duke u shprehur se ky muaj ka qenë edhe muaji i lutjeve tona për të gjithë myslimanët në botë për integritetin e tyre fizik dhe shpirtëror, Duka u shpreh në mbështetje të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Lutjet tona këtë muaj kanë qenë për të gjitha viktimat e akteve terroriste dhe për familjarët e tyre. Lutjet tona kanë qenë dhe do të jenë për të gjithë njerëzimin për paqe, qetësi dhe siguri. Lutjet tona kanë qenë dhe do të jenë për të gjithë ata që punojnë, predikojnë, edukojnë dhe mbështesin luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Lutjet tona kanë qenë dhe do të jenë për të gjithë ata që dënojnë dhe distancohen nga ekstremizmi i dhunshëm. Shoqëria jonë prej kohësh po vuan krizën ekonomike, krizën e vlerave, krizën e drejtësisë, krizën e mendjeve të sëmura kriminale që sot po shkakton dëme të paimagjinueshme njerëzore. Mendjet e sëmura pretendojnë se ata do të vendosin drejtësinë, pretendojnë se janë gjykatës dhe ekzekutues të dënimeve të dhëna nga po ato mendje kriminale”, tha myftiu Duka.
SHKODËR
Ashtu si në të gjithë vendin edhe në qytetin e Shkodrës Fiter Bajrami është festuar nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët mbushen sheshin “Demokracia” në qendër të qytetit. Falja e namazit në këtë shesh tashme është kthyer në tradite të përvitshme. Pasi kanë kryer ritualin e faljes besimtarët morën mesazhin e Kryemyftiut te Shkodrës Imam Muhamed Sytari.
“Fiter Bajrami është një tjetër stacion drejt madhështisë së bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve në mesin tonë, duke u dëshmuar një bashkësi e qytetëruar me besim dhe cilësi të larta përkushtimi”, nënvizoi myfti Sytari.
KUKËS
Besimtarët myslimanë të Kukësit kremtojnë sot festën e Fiter Bajramit. Kjo festë nisi që në orët e para të mëngjesit, me faljen e Fiter Bajramit, falje e cila u krye në ambientet e dy xhamive të qytetit të qytetit dhe fshatrave ,ndërsa janë përshëndetur nga myftiu i Kukësit, Islam Hoxha. Myftiu Hoxha ka thënë se ky Bajram vjen pas një sakrifice të madhe që e kanë bërë të gjithë besimtaret i cili është vetëm për Zotin e madhërishëm.
Fitër Bajrami është festa që pason muajin e shenjtë të Ramazanit gjatë të cilit besimtarët kanë agjëruar nga lindja deri në perëndim të dielli ndërsa sot pasi kanë kryer faljen e Namazit, kanë uruar paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit.
Festa e Fiter Bajramit në qytetin e Kukësit ka vijuar me vizitat që Myftinia e rrethit ka pritur pranë ambienteve të myftinisë. Myftiu Islam Hoxha , ka pritur urime nga pushtetarë lokalë dhe partive politike . Bajrami i madh është një prej festave më të rëndësishme të kalendarit mysliman. Pas faljes, besimtarët festojnë në familjet e tyre, por edhe në ambiente të përbashkëta sipas traditës.
PUKË
Fiter Bajrami që herët në mëngjes tejmbushi edhe Xhamin e qytetit të Pukës, atje ku qindra mysliman kurorëzuan përmes kësaj feste Muajin e Ramazanit , këtë periudhë intensive adhurim për ta.
Kreu i myftinisë së Pukës, Imam Gëzim Kopani, në fjalën e tij me këtë rast i ftoi besimtarët për të shtrirë dorën e pajtimit ndaj të gjithë atyre me të cilët kishin qefmbetje, ndërsa u ndal tek varfëria me të cilën po përballet Puka dhe pukjanet duke apeluar që të gjithë të këmbëngulnin tek arsimimi i fëmijëve të tyre.
Myftiu i Pukës terrorizmin e konsideroi si një të keqe që po kërcënon botën duke i distancuar aktet e terrorizmit e për këtë solli shembujt e sulmeve në Turqi.
Besimtarët myslimanë të Pukës edhe në këtë Fiter Bajram u lutën për paqe, vëllazëri dhe mirëqenie. Lutje e veçantë u përcoll për të gjithë familjet në varfëri e mjerim, si dhe për vendet që po përballen me lufta e kërcënime për jetën e njerëzve.