Aktivisti i “Qëndresa Qytetare” Kolindo Vjerdha, i ftuar në një studio televizive, tha se procesi i provimit të Magjistraturës nuk ka qenë transparent, dhe ndryshimi i listës në 24 orë lë vend për përzgjedhje fiktive. Vjerdha vuri në dukje se tregon mungesë vullneti fakti që drejtuesit nuk bëjnë ripërsëritje të procesit të pranimit. “Po shkojmë nga gjyqtarët e Plepave te gjyqtarët e scantroni-t”, thekson ai.
“Po flasim për një ndër shkollat që përcakton gjyqtarët dhe prokurorët që do jenë drejtësia e nesërme, që do zëvendësojnë boshllëqet që ka krijuar Vetingu, dhe transparenca që është ndjekur në provim, përbën shkelje që çojnë në një rezultat që mund të jetë lehtësisht i kontestueshëm për formën dhe procesin që ka qenë me mungesë të theksuar transparence. Kemi një korrigjim parësor, ku kanë dalë fitues 20 për qind. Kemi një korrigjim të dytë dhe nxjerrje e listës me 79 fitues.Për vetëm 24 orë kemi një ndryshim tërësor të skemës, ku kemi 121 kandidatë.
Po flasim për tre procese korrigjimi të ndjekura. Procesi është kryer dy herë radhazi për shkak të disa daljeve për nevoja të caktuara të disa kandidatëve. Nëse ruajmë një rigorozitet kaq të madh në momentin kur e ndërtojmë këtë procedurë, pse në momentin kur ka kontestime dhe problematika në lidhje me procesin, padyshim që duhet pranuar thirrja për ripërsëritje të procesit. Meritokracia në këtë rast nuk cenohet dhe nuk preket. Ruajtja e standard-it dhe transparencës është shumë e rëndësishme. Përmes një letre të hapur është një kërkesë legjitime, të cilës ata do t’i qëndrojnë. Reagimi ynë ishte pas deklaratës të dëgjuar nga z.Rakipi. Nga 79 fitues në pak orë kaluan në 121 fitues. Nga kjo kuptojmë që nuk kemi të bëjmë me proces transparent. Çelësi i përgjigjeve këtë vit s’është bërë publik dhe nuk mund të gjendet. Mos bërja publike, fakti që brenda 24 orësh kemi ndryshim të listës, janë konstatime që janë pranuar edhe nga vet drejtuesit e institucioneve.
Pranohet që ka pasur probleme, por jo që të rikthejmë dhe ribëjmë një proces. Kjo të lë të dyshosh për fiktivitet, përzgjedhje preferenciale. Na maj kalon jo vetëm data e provimit të parë por edhe faza e dytë. Nëse kalojmë në maj, ne kemi mbyllur vendimmarrjen dhe procesin ku është kryer përzgjedhja e kandidatëve. Nëse kemi të bëjmë me problem teknik, zgjidhjet s’mund të jenë manuale. Mund të kemi kandidatë që në listën e parë kanë dalë fitues, dhe në të dytën s’kanë dalë fitues, ose kandidatë që kanë dyfishim pikësh. Nëse u themi kontestuesve që s’do e përsërisim procesin, ndonëse konstatimet i keni të drejta, padyshim kemi të bëjmë me mungesë vullneti. Ka dy standarde që s’i japin vlerë procesit. Po shkojmë nga gjyqtarët e plepave te gjyqtarët e scantroni-t. Një proces i ripërsëritur do krijonte besueshmëri”, tha Vjerdha.